Lëvizja Vetëvendosje mund të arrijë në 52 mandate në Kuvendin e Kosovës, nëse trendi aktual i votave me postë vazhdon deri në përfundimin e procesit të numërimit. Kështu ka bërë të ditur Eugen Cakolli, hulumtues në koalicionin e organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”.
Ai ka theksuar se rezultatet përfundimtare mund të ndikojnë në shpërndarjen e të paktën dy mandateve të tjera ndërmjet partive.
“Nëse përqindjet aktuale të votave me postë do të mbeteshin përafërsisht të njëjta deri në përfundim të numërimit, projeksionet tregojnë se LVV-ja do të ishte në zonën e 52 mandateve. Megjithatë, gara dhe lëvizjet për të paktën dy mandate të tjera mbeten ende të hapura mes partive”, ka shkruar Cakolli në Facebook.
Sipas rezultateve preliminare të zgjedhjeve të 7 qershorit, të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, LVV-ja fillimisht kishte siguruar 48 ulëse në Kuvend.
Pas numërimit të votave nga ambasadat dhe konsullatat, si dhe përfshirjes së një pjese të votave me postë, LVV-ja ka arritur në 50 mandate, ndërsa PDK-ja dhe LDK-ja kanë humbur nga një mandat secila.
Numërimi i votave me postë është ende në fazën fillestare. Në platformën e rezultateve të KQZ-së deri më tani janë përfshirë rezultatet e 57 kutive postare, ndërsa deri në fund të procesit pritet të numërohen rreth 200 kuti.
Nga gjithsej 85 mijë e 790 zarfe të pranuara përmes postës, deri më tani janë shqyrtuar mbi 60 mijë, ndërsa rreth 2 mijë e 500 janë refuzuar.
Cakolli ka vlerësuar se, nëse vazhdon trendi aktual i refuzimit prej rreth 4 për qind, numri i votave të vlefshme me postë mund të arrijë në rreth 82 mijë e 500.
Megjithatë, numri përfundimtar i mandateve do të përcaktohet vetëm pas përfundimit të numërimit dhe certifikimit të rezultateve nga KQZ-ja.
“Ky moment shënon përfundimin e procesit në të gjitha 38 komunat, i cili ka filluar një ditë pas ditës së zgjedhjeve”, ka deklaruar Elezi.
Sipas tij, në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit janë proceduar 2 mijë e 498 vendvotime, përkatësisht 100 për qind e tyre.
Procesi zgjedhor do të vazhdojë në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ku kanë mbetur për t’u numëruar fletëvotimet e ardhura përmes postës, votat me kusht dhe votat e personave me nevoja të veçanta.
KQZ-ja ka nisur të premten në mbrëmje numërimin e votave nga diaspora, proces që pritet të zgjasë disa ditë. Sipas Elezit, nëga 23 kutitë postare të hapura për këtë lloj votimi janë tërhequr më shumë se 85 mijë e 700 pako të supozuara me fletëvotime. Pjesa më e madhe e tyre tashmë është vlerësuar nga shërbimi votues i KQZ-së dhe është bërë gati për numërim.
Ndërkohë, pas përfundimit të numërimit të votave përmes postës, do të nisë numërimi i votave me kusht dhe i votave të personave me nevoja të veçanta.
Votimi me kusht është mundësuar në 52 vendvotime, ku janë evidentuar 8 mijë e 751 votues, ndërsa për votimin e personave me nevoja të veçanta, të zhvilluar përmes ekipeve mobile jashtë vendvotimeve, kanë qenë të regjistruar 3 mijë e 144 votues.
Elezi ka bërë të ditur se para se të fillohet me numërimin e këtyre fletëvotimeve, KQZ-ja po skanon listat e votuesve të përdorura në vendvotimet e rregullta, me qëllim të krahasimit të të dhënave dhe evidentimit të rasteve eventuale të votimit të dyfishtë.

