Wednesday, August 5, 2026
HomeLajmeRama: Protestat po krijojnë pasiguri, turizmi po humbet vizitorë

Rama: Protestat po krijojnë pasiguri, turizmi po humbet vizitorë

rtsh

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka shprehur shqetësimin për ndikimin që protestat po kanë në sektorin e turizmit, duke theksuar se në Vlora dhe Durrësi janë regjistruar anulime rezervimesh nga turistët e huaj për sezonin veror.

Në episodin e radhës të podcastit “Flasim”, Rama deklaroi se një pjesë e protestuesve janë të shqetësuar sinqerisht për zhvillimin e projektit në Zvërnec, por sipas tij, grupe të tjera po përdorin protestat për të penguar zhvillimin ekonomik të vendit. Ai theksoi se në Vlorë nuk ka pasur kundërshtime të gjera ndaj investimit, pasi sipas tij shumica e qytetarëve mbështesin zhvillimin.

“Këto shënime dua ti nis me një reflektim parathënës lidhur me disa simptoma të cilat më shqetësojnë dhe duhet të shqetësojnë këdo që është i interesuar që gjërat të shkojnë më mirë në Shqipëri, jo të shkojnë më keq dhe besoj që edhe ndër ata që protestojnë një pjesë duan që gjërat në Shqipëri të shkojnë më mirë dhe janë sinqerisht të shqetësuar për si do të shkojë zhvillimi i investimit në Zvërnec. Ndërkohë që një pjesë tjetër, pjesa dominante nuk është se nuk duan që gjërat të shkojnë mirë, por ashtu siç ata duan që të shkojnë gjërat më e keqja vjen për Shqipërinë, dhe këtu kam parasysh ato partitë e vogla, që mbetën të vogla por që u bën të vjetra, kam parasysh prurjen që vijnë nga territore të tjera. Se çfarë lidhje kanë ata me këtë temë që ka të bëjë me Vlorën dhe që vetëm në Vlorë nuk ka shkaktuar asnjë lloj proteste sepse Vlora masivisht atje e do Zhvillimin, kjo është një pikëpyetje të cilës unë nuk dua t’ia jap përgjigjen por do ta lë pikëpyetje”, u shpreh kryeministri.

Kreu i qeverisë tha se operatorët turistikë në Vlorë dhe Durrës kanë ngritur shqetësimin për dëmet që protestat mund t’i shkaktojnë sezonit turistik.

Sipas Ramës, rreth 95% e bizneseve të hotelerisë, restoranteve dhe bareve në Vlorë iu bashkuan një proteste sensibilizuese për të kërkuar që sezoni të mos dëmtohet.

“Duke shkuar në Vlorë dua të ndalem tek një simptomë shumë problematike e cila po forcohet dita-ditës. Anulimet e rezervimeve për sezonin nga turistët e huaj. Kam marrë shumë mesazhe por natyrisht që unë nuk mund të dal ta përdor këtë që të thuhet: të ndalosh protestën se tu dogj shpirti për hotelet, por nga ana tjetër nuk mund të rri pa thënë që edhe në Vlorë dhe në Durrës ka pasur protesta të operatorëve turistikë, protesta sensibilizuese. Në Vlorë kanë qenë rreth 95% e atyre që zotërojnë hotele, restorante, bare që i janë bashkuar protestës sensibilizuese duke kërkuar mirëkuptimin që sezoni të mos dëmtohet. Sepse është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë failjare të shumë njerëzve të lidhur me turizmin dhe është një dëmtim i drejtpërdrejtë për ekonominë lokale dhe kombëtare në tërësi. Nëse ne do të ndalojmë që në Shqipëri të hyjnë ato para që do të hyjnë normalisht në një sezon turistik të qetë atëherë unë nuk e di se në favor të kujt shkon kjo. Nëse ka një agjendë protesta për të penguar Shqipërinë nga të katërt anët dhe përmes pengesës për të krijuar një frustrim dhe për ti bërë njerëzit që të thonë: hajde se po e heqim këtë qeveri vetëm që të na lini rehat. Atëherë kjo është një agjendë që jo e re, por është një agjendë që është përdorur në vende të tjera por edhe këtu nga molotovarët por që nuk ka për të funksionuar, dëmi patjetër që do të jetë i madh dhe i panevojshëm sipas meje”, tha Rama.

Rama kritikoi gjithashtu fenomenin e bullizmit në rrjetet sociale ndaj personave që shprehin mendime të ndryshme. Ai solli si shembull këngëtarin Ylli Limani, për të cilin tha se është përballur me sharje, presione dhe kërcënime për shkak të një koncerti të planifikuar gjatë periudhës së protestave.

Sipas kryeministrit, gjuha e urrejtjes dhe përjashtimit në rrjetet sociale përbën një frymë të rrezikshme që cenon debatin demokratik dhe bashkëjetesën në shoqëri.

“Një tjetër simptomë shumë e neveritshme është bullizmi ndaj njerëzve në Facebook, Instagram dhe kam parë me shumë keqardhje sesi një këngëtar si Ylli Limani e kanë masakruar me sharje, me presione, me kërcënime për të anuluar koncertin, dhe për të mos i dhënë njerëzve kënaqësinë që të kenë një moment të bukur muzike sepse njerëzit do të fokusohen tek protesta. Dhe kjo po ndodh me shumë njerëz kanë një opinio0n tjetër, thjeshtë shkruajnë postim dhe marrin të shara dhe kërcënime të cilat flasin për atë që unë e kam thënë që ditën e par, në këtë konglomerat në këtë mozaik ku ka njerëz nga të gjitha rrugët e jetës dhe ka patjetër njerëz që kanë vetëm qëllime të mira ka dhe një komponent fashiste, një frymë fashiste dhe kjo frymë nuk ka nevojë për uniforma dhe për armë. Fryma fashiste është fryma që thotë: Shqipëria është e shqiptarëve, dhe të gjithë të tjerët jashtë, nuk janë të mirëseardhur. Siç ishte Gjermania e gjermanëve dhe u bë delja e zezë e Evropës për vite me radhë”, theksoi ai.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram