Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje dhe partnerët e saj do të presin certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve para se të marrin qëndrime lidhur me bashkëpunimet politike apo procesin e zgjedhjes së presidentit ose presidentes së vendit.
Gërvalla ka theksuar se çdo vendim politik duhet të bazohet në rezultatin zyrtar dhe mesazhin që qytetarët kanë dhënë përmes votës.
“Kur t’i kemi rezultatet e çertifikuara do të shohim se cilat janë mundësitë që na ofrohen. Unë shumë shpresoj dhe jam shumë optimiste që nuk do të ballafaqohemi edhe njëherë me bllokada të pakuptimta edhe me bllokim të institucioneve të shtetit, por siç e keni parë edhe para zgjedhjeve të fundit nuk ka qenë në dorën tonë sepse ofertat kanë qenë më shumë se bujare, mirëpo janë refuzuar. Shpresoj që mandati i fuqishëm që e jep vota e qytetarit këtë herë do të respektohet deri në fund”, ka deklaruar ajo.
Gërvalla ka theksuar se aktualisht nuk po zhvillohen diskutime për bashkëpunime politike me subjektet tjera.
“Po nuk diskutojmë ne as për vija të kuqe as për koalicione të cilat do t’i shohim pasi të kemi marrë rezultatin përfundimtar, të çertifikuar me qëllim që ta dimë cili është mesazhi i qytetarëve. Nëse ne nuk e dimë mesazhin e qartë të qytetarëve atëherë edhe nuk e respektojmë mesazhin e qartë të qytetarëve, atëherë gabojmë shumë”, ka theksuar ajo.
Duke folur për rezultatin e zgjedhjeve, Gërvalla vlerësoi se koalicioni i udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje ka marrë mbështetje të konsiderueshme nga qytetarët dhe se ky vullnet duhet të respektohet në fazat e ardhshme të procesit politik.

