Wednesday, June 17, 2026
HomeLajmeKosovë27-vjetori i çlirimit shënohet me aktivitete të shumta në qytetin e Pejës

27-vjetori i çlirimit shënohet me aktivitete të shumta në qytetin e Pejës

Qershori është muaji kur Kosova shënon çlirimin e saj nga Serbia. E në Pejë me manifestime të ndryshme është shënuar 27-vjetori i çlirimit të këtij qyteti.

Pas nderimeve pranë lapidarit të dëshmorëve të kombit në sheshin kryesor të qytetit, në 27-vjetorin e çlirimit të Pejës është organizuar seancë solemne.

Me këtë rast, kryetari i Komunës, Gazmend Muhaxheri, ka uruar bashkëqytetarët e tij me rastin e kësaj feste.

“Sot të gjithë qytetarëve të komunës së Pejës iu uroj iu uroj ditën e çlirimit, një ditë të mbarë, një ditë të mirë edhe suksese në jetë. I ftoj qytetarët që na bashkangjiten në aktivitetet që janë organizuar për nder të festës së çlirimit”, tha ai.

“Në këtë ditë ne përulemi me respekt para gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë tonë, dëshmorëve, martirëve dhe të pagjeturve. Kujtojmë me nderim të gjithë ata që sakrifikuan rininë, familjen dhe jetën e tyre për lirinë e Kosovës”, theksoi Rexhep Kurtbogaj, kryesues i Asamblesë.

Ndërkaq në ditën e çlirimit të Pejës, pranë bustit të ish-presidentit Rugova është bërë ngritja e flamurit, ndërsa në parkun e qytetit është zbuluar obelisku “E dua Pejën” i punuar nga nxënësit e Shkollës së Artit “Odise Paskali”.

“Të punosh për ditën e çlirimit të Pejës është një krenari e veçantë, një emocion i cili na përshkon gjatë gjithë jetës. Këto 5 ditët e fundit bashkë me nxënësit e shkollës së artit, shoqatën “Arti pa kufij”, Drejtorinë e Kulturës jemi munduar që të pasqyrojmë ndjenjat emocionet, ngjyrat e ditës së çlirimit”, tha Kastriot Blakaj, nga shoqata “Arti pa kufij”.

Në kuadër të ditës së çlirimit të Pejës janë organizuar edhe aktivitete të tjera, ndërsa manifestimi qendror solemn në qendër të qytetit do të shënojë përmbylljen e tyre.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram