Komuna e Deçanit ka mbajtur një seancë solemne me rastin e Ditës së Çlirimit, ku është theksuar sakrifica e të gjithë atyre që kontribuan për lirinë e vendit dhe është nderuar roli i aleatëve ndërkombëtarë në këtë proces.
Kryetari i Deçanit, Bashkim Ramosaj, në fjalën e tij vlerësoi lart kontributin e brezave që, sipas tij, e bënë të mundur lirinë e vendit.
“Sot më shumë respekt, përtej nderimit për këtë ditë, kujtesa jonë ka të bëjë me atë që jemi ne dhe ne sot kemi të drejtë të nderojmë të gjithë brezat që janë ngritur në këmbë për të ardhur deri tek liria”, tha Ramosaj.
Ai theksoi se ky rrugëtim historik lidhet ngushtë me identitetin dhe vlerat e shoqërisë.
“Ky nderim ka të bëjë me identitetin tonë, me kulturë tonë dhe ka të bëjë me mësimin që japim për të tjerët, për modelin që krijojmë për të tjerët”, tha ai.
Ramosaj kujtoi edhe rolin e aleatëve ndërkombëtarë në procesin e çlirimit.
“Ne nuk duhet t’i harrojmë miqtë e aleatët tanë, pa të cilët cmimi dhe kostoja jonë për të ardhur deri tek liria do të kishte qenë shumë më e lartë se sa që kjo është sot”, theksoi ai.
Në këtë seancë foli edhe kryesuesi i Kuvendit Komunal të Deçanit, Hajdar Sutaj, i cili nderoi dëshmorët dhe kontributin e familjeve të tyre, duke falënderuar edhe shtetet e NATO-s dhe SHBA-në.
“Sot me respektin më të lartë nderojmë heronjtë tanë, sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe të gjithë ata burra e gra që nder breza dhanë gjithcka për idealin më të shtrenjtë, lirinë e atdheut”, tha Sutaj. Ai shtoi se liria e sotme ka një histori të gjatë sakrifice.
Në pjesën historike të fjalimeve, ish-kryetari i parë i emëruar i Deçanit, Ibrahim Selmanaj, përmendi momentet që sipas tij shënuan kthesat kryesore të luftës së UÇK-së.
“Ndryshimi i madh ka ndodhur më 28 nëntor 1997 me paraqitjen e tre burrave tanë të uniformuar në varrimin e mësuesit Halit Geci”, tha Selmanaj.
Në fund të ceremonisë, kryetari Bashkim Ramosaj ndau një dekoratë post-mortem për ish-kryetarin e Deçanit, Muhamet Bujku, në vlerësim të kontributit dhe vizionit të tij.

