Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka pritur sot në takim mirëseardhës Atasheun e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, nënkolonel Denise McMahon.
Sipas njoftimit të FSK-së, gjeneral Jashari e uroi nëkolonelin McMahon për detyrën e re dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar.
“Gjatë takimit, KOMFSK e njoftoi për të arriturat e deritanishme të FSK-së, si dhe diskutoi për objektivat e tij lidhur me zhvillimin e forcës, me fokus në planet bilaterale lidhur me trajnimet, stërvitjet, pajisjet dhe aktivitetet tjera të përbashkëta. Në anën tjetër, nënkolonel McMahon përgëzoi gjeneral Jasharin për zhvillimin e madh të FSK-së dhe për profesionalizmin e lartë të personelit të FSK-së dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin dhe afirmimin e bashkëpunimit ndërmjet Ushtrisë së Mbretërisë së Bashkuar dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në përfundim të takimit, palët u pajtuan për vazhdimin dhe avancimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale, me theks të veçantë në zhvillimin e kapaciteteve ushtarake të FSK-së në funksion të përmbushjes së misionit të saj.

