Një person i mitur ka humbur jetën si pasojë e një vetaksidenti trafiku që ka ndodhur mëngjesin e së mërkurës në fshatin Fushticë e Poshtme të Drenasit.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur më 17 qershor 2026, rreth orës 08:57. Dyshohet se i mituri, derisa po drejtonte një veturë, nga pakujdesia ka shkaktuar vetaksident.
Si pasojë e aksidentit, ai ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe fillimisht është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Megjithatë, përkundër përpjekjeve të mjekëve, ai nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit janë duke vazhduar.

