Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se procesi i rinumërimit të vendvotimeve të rregullta në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon dhe është drejt përmbylljes.
Sipas të dhënave më të fundit, deri në përfundim të ditës së enjte (18 qershor) janë rinumëruar 176 nga gjithsej 185 vendvotime. Pjesa e mbetur, 9 vendvotime, pritet të rinumërohet paraditen e së premtes.
Këtë për RTKlive e ka konfirmuar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Procesi i rinumërimit kishte filluar në mëngjesin e së enjtes. Në total, procesi përfshin 185 vendvotime të rregullta, që përbëjnë 7.41% të 2,498 vendvotimeve ku është zhvilluar votimi më 7 qershor 2026.
Sipas KQZ-së, vendimi për rinumërim është marrë në bazë të Rregullores Zgjedhore për funksionimin e QNR-së, e cila i jep institucionit mundësinë të vendosë për këtë masë pas vlerësimit të situatës.
KQZ ka theksuar se rinumërimi po bëhet si masë kontrolli për të adresuar parregullsitë e evidentuara në disa Qendra Komunale të Numërimit dhe për të garantuar saktësinë e procesit zgjedhor.

