Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur në takim ambasadorin gjerman, Rainer Rudolph, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet politike në vend pas zgjedhjeve të 7 qershorit dhe rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit institucional.
Sipas njoftimit, gjatë takimit Hamza rikonfirmoi përkushtimin e Partisë Demokratike të Kosovës për formimin sa më të shpejtë të institucioneve qeverisëse dhe për të kontribuar në forcimin e demokracisë dhe avancimin e proceseve që i shërbejnë interesit të qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës.
Hamza e falënderoi ambasadorin Rudolph për mbështetjen e vazhdueshme që Gjermania i ka dhënë Kosovës ndër vite, si dhe për partneritetin e ngushtë dhe marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet dy vendeve.
“Mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës dhe për partneritetin ndërmjet dy vendeve tona”, ka shkruar ai në Facebook.

