“Sunny Hill Festival” është shndërruar në një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në rajon, duke krijuar ndikim të madh në ekonomi, turizëm dhe në imazhin ndërkombëtar të Kosovës. Edicioni i sivjetmë do të mbahet më 31 korrik, 1 dhe 2 gusht.
Festivali, i nisur me vizionin e Dua Lipës dhe Sunny Hill Foundation, tashmë ka krijuar identitetin e vet ndërkombëtar dhe po tërheq mijëra vizitorë nga e gjithë bota.
Njëri nga organizatorët e festivalit, Alban Kastrati, në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, tha se vitin e kaluar festivali mblodhi rreth 30 mijë pjesëmarrës në ditë, ndërsa sivjet pritet një rritje prej të paktën 20 për qind. Ai shtoi se kapacitetet mund të zgjerohen deri në 50 mijë vizitorë në ditë.
Kastrati tha se “Sunny Hill Festival” ka ndikim të drejtpërdrejtë në hoteleri, turizëm, transport dhe sektorë të tjerë të ekonomisë, duke bërë të ditur se festivali ka marrë edhe një çmim për ndikimin ekonomik gjatë vitit 2025.
Ai bëri me dije se interesimi për festivalin është i madh edhe jashtë Kosovës, veçanërisht nga diaspora dhe Turqia. Sipas tij, këtë vit festivali do të ketë katër skena dhe emra të njohur ndërkombëtarë, si Katy Perry dhe Martin Garrix.
“Për muzikën elektronike nuk ka fundjavë më të mirë në Evropë sesa ajo e Sunny Hill Festivalit. Besoj se do t’i thyejmë rekordet e viteve të kaluara”, theksoi Kastrati në RTK.
Ai shtoi se gjatë ditëve në vijim do të publikohen edhe emra të tjerë të artistëve që do të performojnë në edicionin e sivjetmë.

