Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se forcat ruse po planifikojnë një sulm masiv ndaj Ukrainës dhe u bëri thirrje qytetarëve të jenë jashtëzakonisht të kujdesshëm.
“Sonte dhe në orët në vijim, është shumë e rëndësishme t’i kushtohet vëmendje paralajmërimeve për sulme ajrore”, tha Zelensky në fjalimin e tij në mbrëmje. “Rusët po përgatiten për një sulm masiv. Ju lutem kujdesuni për veten”, shtoi ai.
Pak më parë, guvernatori ukrainas i Zaporizhias, Ivan Fedorov, raportoi nëpërmjet Telegram se forcat ruse kishin goditur qytetin me të njëjtin emër me bomba raketore të telekomanduara, duke vrarë katër persona dhe duke plagosur gjashtë të tjerë.
Fedorov raportoi nëntë goditje në qytet dhe shprehu shqetësime se njerëzit mund të jenë të bllokuar në rrënojat e ndërtesave.
Sulmet ukrainase në Tyumen
Zelensky tha gjithashtu se dronët ukrainas kishin goditur një rafineri nafte në rajonin Tyumen të Siberisë perëndimore. Presidenti ukrainas falënderoi njësitë e operacioneve speciale të ushtrisë ukrainase që “mbërritën në rajonin Tyumen”, më shumë se 2,000 kilometra larg kufirit me Ukrainën.
Shënjestra “ishte përsëri një rafineri nafte (…) Është efektive”, shtoi ai.
Megjithatë, guvernatori i Tyumenit pretendoi se mbrojtja ajrore ruse e zmbrapsi sulmin ndaj rafinerisë.

