Delegacioni i Republikës Islamike të Iranit u largua nga ndërtesa ku u zhvilluan negociatat me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Zvicër, raportoi agjencia IRNA këtë mbrëmje në rrjetet sociale.
Këto bisedime, të cilat u ndërmjetësuan nga Pakistani dhe Katari, “hynë në një fazë të vështirë pas 80 minutash bisedimesh dhe ndërprerjesh pas publikimit të një mesazhi ofendues nga presidenti amerikan”, shtoi IRNA.
Donald Trump kërcënoi të vazhdojë sulmet ndaj Iranit “nëse vendi nuk i ndal aleatët e tij nga lëvizja libaneze Hezbollah që të shkaktojnë probleme në Liban”.
Më parë, Gossein Ghorbanzade, një anëtar i ekipit negociator të Iranit me SHBA-në, tha se bisedimet u përqendruan në zhbllokimin e aseteve iraniane që janë bllokuar jashtë vendit, si dhe në modalitetet e lirimit të tyre, raportoi televizioni katarian Al Jazeera.
Ai shtoi se bisedimet iu referuan edhe përjashtimit të përkohshëm nga sanksionet mbi naftën iraniane dhe derivatet e saj.
Zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, tha më herët sot se ekzistonte një mundësi për të “hapur një faqe të re me Iranin”, ndërsa të dyja palët rifilluan bisedimet që synojnë ndërtimin e një marrëveshjeje të përkohshme për t’i dhënë fund luftës në Iran, për të cilën ata ranë dakord javën e kaluar.

Memorandumi u nënshkrua javën e kaluar dhe tani negociatorët kryesorë amerikanë dhe iranianë janë në një fushatë të mundimshme 60-ditore për të arritur një marrëveshje mbi detajet teknike që kanë implikime të mëdha për ekonominë botërore dhe sigurinë globale, raportoi AP.

