Tuesday, June 23, 2026
HomeGjeopolitikOpinionRruga “Muharrem Fejza” ,rruga e Anarkisë Urbane

Rruga “Muharrem Fejza” ,rruga e Anarkisë Urbane

Zejdush Kastrati

Në rrugën “Muharrem Fejza”, një ndër lagjet më të populluara të kryeqytetit, qytetarët prej kohësh po përballen me një varg problemesh që e kanë shndërruar jetën e përditshme në një sfidë të vazhdueshme. Përveç tollovisë së rënduar në komunikacion, parkimeve vend e pavend mbi trotuare dhe grumbujve të mbeturinave që dëshmojnë mungesën e kulturës qytetare dhe të kontrollit institucional, një fenomen tjetër po merr përmasa alarmante.
Bëhet fjalë për huliganizmin e një grupi individësh të papërgjegjshëm, të cilët pothuajse çdo mbrëmje, deri në orët e vona të natës, terrorizojnë banorët me muzikë në volum maksimal, gara të çmendura me vetura e motoçikleta dhe zhurma shurdhuese nga motorët e modifikuar. Rruga kryesore është shndërruar në pistë demonstrimi për sjellje primitive, ndërsa qetësia publike është bërë viktima e parë e kësaj anarkie urbane.
Në një lagje ku jetojnë të moshuar, persona të sëmurë, familje me fëmijë të vegjël, qytetarë që vuajnë nga trauma të ndryshme apo probleme shëndetësore, kjo sjellje nuk mund të konsiderohet më thjesht si mungesë edukate. Ajo përbën cenim të drejtpërdrejtë të sigurisë, shëndetit dhe dinjitetit të banorëve.
Më shqetësues është fakti se, pavarësisht ankesave të përsëritura, problemi vazhdon pothuajse i pandryshuar. Kjo krijon përshtypjen se shkelësit e rendit publik ndihen të paprekshëm dhe mbi ligjin. Heshtja institucionale, në raste të tilla, rrezikon të interpretohet si tolerim i paligjshmërisë.
Prandaj, koha për reagim ka kaluar. Është momenti i fundit që Policia e Kosovës dhe institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa konkrete dhe të dukshme. Patrullimi i vazhdueshëm i kësaj rruge, identifikimi dhe ndëshkimi i shkelësve nuk është luks, por domosdoshmëri.
Në të kundërtën, nëse një ditë situata përshkallëzohet në konflikt apo sjell pasoja më të rënda, përgjegjësia nuk do të jetë vetëm e huliganëve të rrugës, por edhe e atyre që kishin detyrim ligjor të vepronin dhe zgjodhën të mos e bënin.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram