Degët e LDK-së në Pejë dhe Lipjan kanë kërkuar dorëheqjen e kryetarit të partisë, Lumir Abdixhiku.
Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Pejë, ka njoftuar se ka mbajtur mbledhjen e kryesisë dhe me shumicë votash kanë kërkuar nga lidershipi i LDK-së, të jap dorëheqje si akt moral, gjegjësisht nga kryetari Lumir Abdixhiku.
Në njoftimin e degës së LDK-së në Pejë, thuhet se kanë vlerësuar që përgjegjësia për rezultatin duhet të bartet nga udhëheqja.
Edhe kryesia e degës së LDK-së në Lipjan ka mbajtur një mbledhje me kryetarët e nëndegëve për të diskutuar për rezultatin e zgjedhjeve të 7 qershorit me ç’rast edhe kjo degë po kërkon dorëheqjen e kryetarit Lumir Abdixhiku.
“Në këtë frymë, pas një diskutimi të gjatë dhe një analize të detajuar të secilës qendër votimi në Degën e Lipjanit, si dhe të gjendjes aktuale politike dhe organizative brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kryesia e Degës kërkon dorëheqjen e Kryetarit të LDK-së, si standard të përgjegjësisë politike dhe si akt reflektimi ndaj mesazhit që qytetarët kanë përcjellë përmes votës së tyre”, thuhet mes tjerash në postimin e kësaj dege në Facebook.

