Thursday, June 25, 2026
HomeLajmeKosovëZëvendësministri Ahmeti mori pjesë në panelin e Institutit Aspen në Berlin

Zëvendësministri Ahmeti mori pjesë në panelin e Institutit Aspen në Berlin

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, mori pjesë në panelin “Ballkani Perëndimor në një udhëkryq: Gjeopolitika dhe siguria”, të organizuar nga Instituti Aspen në Berlin.

Sipas njoftimit nga MPJD, ky panel trajtoi zhvillimet gjeopolitike dhe të sigurisë në rajon, zgjerimin e BE-së, Procesin e Berlinit dhe ndikimin e aktorëve të jashtëm.

Ahmeti theksoi se sfidat e sigurisë në rajon janë të dyfishta: ndërhyrjet e aktorëve të jashtëm dhe sfidat që gjenerohen brenda vetë rajonit. Në këtë kontekst, ai përmendi ambiguitetin gjeopolitik, i cili mundëson shtrirjen e ndikimit rus dhe kinez në Ballkan dhe, përmes tij, edhe në Evropë.

Ai nënvizoi se, në planin e brendshëm, stabiliteti rrezikohet nga qasjet revizioniste, kontestimi i sovranitetit dhe mungesa e llogaridhënies për aktet e dhunës dhe të agresionit. Ai theksoi gjithashtu se të drejtat e pakicave në rajon duhet të mbrohen sipas standardeve të njëjta evropiane, pa u përdorur për qëllime politike.

Në përfundim, sa i përket zgjerimit, Ahmeti tha se integrimi në BE është një instrument strategjik për paqen dhe sigurinë, duke mbështetur integrimin gradual të rajonit në politikat dhe mekanizmat e BE-së, të ndërlidhur me reformat dhe përafrimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.

Përgjatë qëndrimit të tij në Berlin, zëvendësministri Ahmeti, zhvilloi takim edhe me drejtorin e Përgjithshëm për Evropën në ministrinë Federale të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Christoph Israng, si dhe me deputetët e Bundestagut, Peter Beyer dhe Boris Mijatović, anëtarë të Komisionit për Punë të Jashtme.

“Në takimin me z. Israng u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet aktuale politike dhe avancimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, me theks të veçantë në organizimin e konsultimeve të para politike ndërmjet dy vendeve. Në takime të ndara me deputetët Beyer dhe Mijatović, zëvendësministri Ahmeti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës dhe theksoi përkushtimin e vendit për thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit dypalësh”, thuhet në njoftimin e MPJD-së.

Tutje theksohet se bashkëbiseduesit shkëmbyen pikëpamje mbi zgjerimin e BE-së, zhvillimet politike dhe të sigurisë në rajon dhe Evropë, si dhe rëndësinë e mbështetjes për agjendën euroatlantike dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram