Saturday, June 27, 2026
HomeSportHolanda mposht Tunizinë, në 1/16 e finales përballet me Marokun

Holanda mposht Tunizinë, në 1/16 e finales përballet me Marokun

Holanda e ka mbyllur me fitore fazën e grupeve në Kupën e Botës 2026, pasi triumfoi 3:1 ndaj Tunizisë, duke siguruar vendin e parë në Grupin F dhe një përballje me Marokun në 1/16 e finales.

Skuadra e drejtuar nga Ronald Koeman e nisi në mënyrë ideale ndeshjen në Kansas City, duke kaluar në epërsi që në minutën e tretë. Kapiteni i Tunizisë, Ellyes Skhiri, devijoi topin në rrjetën e tij pas një harkimi të Denzel Dumfries, duke i dhënë avantazhin “Tulipanëve”.

Vetëm katër minuta më vonë, Brian Brobbey dyfishoi epërsinë, duke realizuar golin e tij të tretë në këtë Botëror pas asistimit me kokë të Virgil van Dijk.

Tunizia u rikthye në lojë në minutën e 54-të, kur Hazem Mastouri shënoi me kokë pas një goditjeje nga këndi të Hannibal Mejbrit. Megjithatë, reagimi i Holandës ishte i menjëhershëm dhe Jan Paul van Hecke riktheu epërsinë prej dy golash në minutën e 62-të, duke vulosur rezultatin përfundimtar 3:1.

Me këtë fitore, Holanda e përfundon fazën e grupeve në vendin e parë dhe më 29 qershor në Monterrey do të përballet me Marokun për një vend në 1/8 e finales.

Pas ndeshjes, trajneri Ronald Koeman u shpreh i kënaqur me rezultatin, por kritikoi rënien e ritmit të skuadrës pas epërsisë së hershme.

“Jam i lumtur që e fituam grupin, por u relaksuam shumë shpejt pas avantazhit 2:0. Kjo mund të jetë problem ndaj një kundërshtari më të fortë si Maroku, që është një skuadër me prirje sulmuese”, tha Koeman.

Në anën tjetër, përzgjedhësi i Tunizisë, Hervé Renard, pranoi se ekipi i tij nuk ishte në nivelin e kërkuar për këtë Botëror.

“Nuk ishim në nivelin e duhur për këtë Kupë Bote. Ishte një grup shumë i fortë dhe përballë ekipeve të këtij niveli e kishim shumë të vështirë”, deklaroi tekniku francez.

Tunizia e mbyll pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2026 pa asnjë pikë, pas humbjeve ndaj Suedisë, Japonisë dhe Holandës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram