Saturday, June 27, 2026
HomeLajmeKosovëRreth 23 mijë semimaturantë iu nënshtruan sot testit të arritshmërisë

Rreth 23 mijë semimaturantë iu nënshtruan sot testit të arritshmërisë

Rreth 300 semimaturantë nga tri shkolla fillore të Prishtinës iu nënshtruan sot testit të arritshmërisë në gjimnazin “Ahmet Gashi”. Pas përfundimit të provimit, nxënësit ndanë vlerësime të ndryshme për nivelin e vështirësisë së testit.

Disa e cilësuan atë sfidues, veçanërisht në lëndën e matematikës, ndërsa të tjerë thanë se testi ishte i përballueshëm.

“Sot mbajtëm testin e arritshmërisë, ka qenë pak i vështirë sepse disa pyetje shembull në matematikë dhe pyetjet e tjera kanë qenë shumë të lehta”, tha Bjeshkë Çuni, nxënëse.

“Testi ishte i lehtë, e kam plotësu të tërin”, tha nxënësi Norik Berisha.

Megjithatë, edhe këtë vit procesi u shoqërua me pretendime për kopjim dhe publikim të pyetjeve në rrjetet sociale. Vetëm pak minuta pas fillimit të testit, pyetjet nisën të qarkullonin në grupe komunikimi, përfshirë aplikacionin Viber, ku ishin të përfshirë mijëra përdorues.

Disa nxënës i thanë RTK-së se gjatë testimit kishin mundësi të kopjonin, duke shtuar se kontrolli, në disa raste, nuk kishte qenë i mjaftueshëm.

“Mundësitë ishin të gjitha me kopju. Ndonjëherë i kam shfrytëzu e ndonjëherë jo, mirë ishte në përgjithësi”, deklaroi një nxënës.

“Mundësitë kanë qenë nëse ke dasht me i shfrytëzu ke mujt me kopju, nuk është se i kanë ndalu ndokush, kam kopju”, tha tjetri.

Zëvendësdrejtori në gjimnazin “Ahmet Gashi”, Haki Dili, konfirmoi se tre nxënës u përjashtuan nga testimi pasi u kapën duke përdorur telefona celularë.

“Sot, në gjimnazin shkencat shoqërore “Ahmet Gashi” në Prishtinë, kemi pas dy qendra të testimit ku kanë marrë pjesë mëse 300 nxënës nga shkolla fillore “Elena Gjika”, “Mitrush Kuteli” dhe “Gjergj Fishta” dhe këtu gjithcka procesi ka shkuar në rregull përjashtim tri raste ku tre nxënës i kanë zënë duke përdorë telefonin dhe të cilët janë larguar nga testimi, ndërsa pjesa tjetër gjithcka ka qenë në rregull ka filluar me kohë, përgaditjet kanë qenë më kohë”, tha ai.

Nga Ministria e Arsimit thanë se procesi i testimit u zhvillua kryesisht sipas planit, megjithëse në disa qendra u evidentuan parregullsi dhe rreth 13 nxënës u përjashtuan për shkak të përdorimit të telefonave celularë. Ministria paralajmëroi se çdo nxënësi që vërtetohet se ka përdorur telefon ose ka shpërndarë pyetjet e testit, mund t’i anulohet rezultati edhe pas përfundimit të vlerësimit.

“Në shumicën e rasteve administratorët nuk kanë lejuar përdormin e telefonave. Do të thotë do t’i analizojmë të dhënat dhe mund të ndodh në ndonjë komunë nga administrimi nuk ka qenë në nivelin e kënaqshëm, në krahasaim me maturën ku administrimi ka qenë shumë më rigoriz, mirëpo nxënësit që janë zënë me telefon të gjithë janë përjashtuar. Shumicës së nxënësve u janë marrë telefonat edhe para se të hynin në test, por e dijmë që nxënësit gjatë kohës së testit i marrin edhe nga dy telefona dhe kanë depërtuar edhe me nga një telefon të hyjnë në test. Ata nxënës që e kanë përdorë telefonin dhe vërtetohet që kanë pjesë e këtyre grupeve do të ju anulohet testi edhe pasi që të bëhet dorëzimi i të gjitha materialeve”, tha Fatmir Elezi, drejtor i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në MASHT.

Testit të arritshmërisë iu nënshtruan rreth 23 mijë semimaturantë në 175 qendra testimi në të gjithë Kosovën. Sipas Ministrisë së Arsimit, rezultatet pritet të publikohen më 6 korrik.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram