FC Liria ka konfirmuar se trajneri Ismet Munishi do të vazhdojë ta drejtojë skuadrën edhe për tri vitet e ardhshme.
Klubi prizrenas ka bërë të ditur se vazhdimi i bashkëpunimit me Munishin është një nga hapat e parë në rrugëtimin e ri të klubit, i cili synon të ndërtohet mbi stabilitet, besim dhe vizion afatgjatë.
Sipas njoftimit të klubit, besimi në punën, përvojën dhe profesionalizmin e Munishit mbetet i palëkundur, ndërsa trajneri vlerësohet si figurë kyçe në ndërtimin e ekipit për të ardhmen.
“Ky është një nga hapat e parë në vazhdimin e rrugëtimit të ri të klubit, i ndërtuar mbi stabilitet, besim dhe një vizion afatgjatë”, thuhet në njoftimin e FC Lirisë.
Liria synon krijimin e një skuadre konkurruese, me identitet të qartë dhe ambicie të mëdha, me qëllim rikthimin e klubit në nivelet ku, siç thuhet në njoftim, “e ka vendin”, pra në Superligë.
Klubi prizrenas i ka uruar Munishit suksese në vazhdimin e punës, duke shprehur bindjen se bashkëpunimi i ri do të sjellë rezultate pozitive për ekipin dhe tifozët bardhezi.

