Ministri në detyrë i Digjitalizimit dhe Administratës Publike, Lulëzon Jagxhiu, mori pjesë në Dardania AI Infrastructure Summit, ku u prezantua projekti ambicioz i Dardania AI për ndërtimin e infrastrukturës së Inteligjencës Artificiale në Kosovë.
Së bashku me përfaqësues të liderëve globalë të industrisë si NVIDIA, Vertiv dhe Submer, kompani investuese dhe partnerë ndërkombëtarë, në forum u diskutua mbi trendet globale të infrastrukturës së Inteligjencës Artificiale, ndërtimin e kapaciteteve sovrane të IA në Evropë dhe rolin që Kosova mund të luajë në këtë zhvillim.
Gjatë panelit, ministri Jagxhiu theksoi avantazhet konkurruese që e pozicionojnë Kosovën si një destinacion tërheqës për investime në teknologji dhe Inteligjencë Artificiale. Ai vuri në pah se vendi ynë ofron një kombinim të fuqishëm të faktorëve që e mbështesin këtë potencial: një sektor të zhvilluar të TIK-ut me rritje të shpejtë, popullsinë më të re në Evropë, profesionistë të talentuar që po dëshmojnë çdo ditë konkurrueshmërinë e tyre në tregun global, politika fiskale të favorshme, si dhe një fokus të qartë të Qeverisë në transformimin digjital dhe ndërtimin e infrastrukturës digjitale.
Ministri Jagxhiu theksoi gjithashtu se transformimi digjital dhe reduktimi i barrës administrative nuk përmirësojnë vetëm shërbimet publike për qytetarët dhe bizneset, por krijojnë edhe një mjedis më të favorshëm për investime strategjike. Sipas tij, një administratë publike më efikase, procedura më të thjeshta dhe një infrastrukturë moderne digjitale janë elemente kyçe për tërheqjen e investimeve në sektorë me vlerë të lartë, si Inteligjenca Artificiale.
Ai nënvizoi se ndërtimi i infrastrukturës së IA është një mundësi e jashtëzakonshme për zhvillim ekonomik, hapjen e vendeve të reja të punës, avancimin e inovacionit dhe forcimin e partneriteteve strategjike. Njëkohësisht, ai e pozicionon Kosovën si një kontribuuese aktive në ekosistemin evropian të Inteligjencës Artificiale dhe në ndërtimin e kapaciteteve sovrane të IA.
Përmes projekteve të tilla dhe duke vazhduar investimet në talent, infrastrukturë dhe transformim digjital, Kosova mund të shndërrohet në një destinacion gjithnjë e më tërheqës për investime strategjike në ekonominë digjitale.

