Nënkolonelja e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Fatbardha Osaj, ka pranuar zyrtarisht detyrën si atashe e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës në Republikën e Shqipërisë, me seli në Tiranë.
Sipas njoftimit, ky emërim përbën një hap të rëndësishëm institucional, pasi Osaj është gruaja e parë që emërohet në detyrën e atasheut të Mbrojtjes të Kosovës në Shqipëri.
Ministria e Mbrojtjes vlerëson se ky emërim dëshmon përkushtimin e saj dhe të Forcës së Sigurisë së Kosovës për promovimin e profesionalizmit, meritokracisë dhe barazisë në përfaqësimin e Kosovës në nivel ndërkombëtar.
Me detyrën e re, nënkolonelja Fatbardha Osaj do të përfaqësojë interesat e mbrojtjes së Republikës së Kosovës në Shqipëri, duke kontribuar në forcimin e bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë ndërmjet dy vendeve.

