Një ish-deputet, sot ligjërues në një kolegj, më tha se Kosova paska dështuar në menaxhimin e manifestimit në Gazimestan. Sipas tij, jo vetëm opinioni kosovar, por edhe ai ndërkombëtar ka krijuar një perceptim negativ për Policinë e Kosovës.
Nuk u futa në debat. Përvoja më ka mësuar se është e kotë të harxhosh energji me militantë partiakë, të cilët, falë partisë, kanë ndërtuar karrierën dhe vazhdojnë të gëzojnë privilegje, ndërsa realitetin e shohin vetëm përmes interesit politik.
Ata që e kanë jetuar periudhën para luftës nuk e kanë harruar se çfarë ndodhte sa herë që udhëheqja e Serbisë vinte në Gazimestan. Nga Fushë Kosova deri në Prishtinë bllokohej gjithçka. Qytetarët shqiptarë ndiheshin të kërcënuar dhe shumë prej tyre kishin frikë edhe të dilnin në rrugë.
Edhe pas vitit 2000, për vite me radhë, Policia e Kosovës vendoste forca përgjatë gjithë itinerarit për të garantuar sigurinë e pjesëmarrësve. Kolonat kalonin me flamuj, parulla dhe muzikë që glorifikonte Serbinë, ndërsa institucionet tona përpiqeshin të ruanin qetësinë dhe të shmangnin çdo incident.
Këtë vit, pamja ishte krejt tjetër. Nuk pati demonstrim të simboleve shtetërore të Serbisë aty ku ligji nuk e lejon, nuk pati parada provokuese dhe çdo pjesëmarrës iu nënshtrua kontrolleve të sigurisë, njësoj si në çdo shtet serioz. Ata që zgjodhën të sfidojnë ligjin me thirrje dhe slogane nacionaliste nuk mbetën pa u përballur me pasojat. Arrestimi i 36 personave dëshmoi se rregullat vlejnë për të gjithë.
Edhe më domethënës ishte fakti se EULEX-i, OSBE-ja dhe KFOR-i ishin të pranishëm vetëm si monitorues, pa pasur nevojë për asnjë ndërhyrje. Ky është tregues i qartë se institucionet e Kosovës e menaxhuan situatën me profesionalizëm dhe përgjegjësi.
Prandaj, të thuash se Kosova dështoi është më shumë një qëndrim politik sesa një vlerësim objektiv. Faktet flasin ndryshe. Për herë të parë u pa një shtet që zbatoi ligjin pa zhurmë, pa spektakël dhe pa kompromis me rendin publik.
Profesor, kritika është e dobishme kur mbështetet në fakte. Kur mbështetet në paragjykime politike, ajo humbet vlerën akademike dhe shndërrohet në propagandë. Mbase do të ishte më e dobishme të përqendroheni te procesi edukativo-arsimor, ndërsa çështjet e rendit dhe sigurisë t’ua lini institucioneve, të cilat këtë herë dëshmuan se e kryen detyrën me sukses.

