Policia e Kosovës ka gjobitur me 300 euro një nënë në Prizren, për shkak se ajo kishte lënë fëmijët e saj të mbyllur në veturë gjatë temperaturave të larta.
Vetura ishte e parkuar në një qendër tregtare në Prizren dhe fëmijët raportohen të kenë qenë të rraskapitur nga i nxehti.
“Policia ka arritur menjëherë në vendngjarje dhe me ndihmën e shufrës metalike ka hapur automjetin. Fëmijët ishin të lodhur dhe të dehidratuar nga nxehtësia. Ndërkohë, në vendngjarje është paraqitur edhe e ëma e tyre. Për shkak të moskujdesit ndaj të fëmijëve, policia i ka shqiptuar gjobë prej 300 euro, sipas kundërvajtjes ‘Moskujdes ndaj të miturit’”, njofton Policia e Kosovës.
Duke marrë parasysh se tani në stinën e verës temperaturat janë shumë të larta, Policia apelon për kujdes të shtuar, sidomos ndaj fëmijëve, të moshuarve dhe personave të sëmurë.

