Në të gjithë Evropën, qytetarët po përballen me vapën e padurueshme dhe pagjumësinë që vjen si pasojë e saj, dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar se sistemet shëndetësore po raportojnë ngarkesa rekord.
Siç deklarojnë ata në raportin e tyre, janë raportuar qindra vdekje, ndërsa shërbimet e emergjencës mezi janë në gjendje t’u përgjigjen thirrjeve. Ekspertët paralajmërojnë se vapa e verës nuk është më një fenomen kalimtar, por një krizë vdekjeprurëse për të cilën kontinenti duhet të përgatitet urgjentisht dhe sistematikisht.
Në Francë, thirrjet për shërbimet e urgjencës mjekësore u rritën deri në 50 përqind në disa qytete, tregoi raporti. Londra javën e kaluar pa numrin më të lartë të thirrjeve emergjente kërcënuese për jetën të regjistruara ndonjëherë në një ditë të vetme.
Sistemi i monitorimit të vdekshmërisë në Spanjë ka vlerësuar tashmë më shumë se 300 vdekje të lidhura me nxehtësinë vetëm në pak ditë. Italia raportoi pesë vdekje në 24 orë.
“Evropa po ngrohet më shumë se dy herë më shpejt se mesatarja globale. Valët e të nxehtit nuk janë më ngjarje të njëhershme dhe të pazakonta. Ato janë kriza të përsëritura, që bëhen më të shpeshta, më të forta dhe më të gjata. Çdo verë për të cilën nuk përgatitemi do të na kushtojë jetën”, tha Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Foto: OBSH
Vlerësimet tregojnë se vdekjet që lidhen me nxehtësinë në Evropë në vitin 2023 do të ishin rreth 80 për qind më të larta pa masat e adaptimit që janë tashmë në fuqi. Për njerëzit mbi 80 vjeç, vdekjet mund të jenë dyfish më të larta.
Planet e veprimit për shëndetin e nxehtësisë, paralajmërimet e hershme, ftohja e hapësirave, ofrimi i ndihmës për njerëzit në nevojë janë masa shpëtimtare tani.
“Nëse nuk keni ajër të kondicionuar, dhe shumica e njerëzve në Evropën Veriore nuk kanë, këshilla është praktike dhe e arritshme: Mbani perdet dhe grilat mbyllur gjatë ditës për të bllokuar nxehtësinë. Hapni dritaret natën kur temperaturat bien. Pini ujë para se të ndjeni etje, duke shmangur pijet me sheqer, alkoolike ose me kafeinë. Shmangni diellin e mesditës dhe kontrolloni fqinjët dhe të afërmit e moshuar. Një telefonatë nuk kushton asgjë dhe mund të shpëtojë një jetë. Rreth 60 përqind e shtrimeve në spital pas vizitave emergjente gjatë kësaj vale të nxehti përfshinin njerëz mbi moshën 75 vjeç. Shumë nga këto shtrime mund të ishin parandaluar”, këshillon OBSH.
Disa vende dhe qytete kanë treguar se si duket përgatitja.
Konkretisht, këtë verë Barcelona zgjeroi rrjetin e saj të strehimoreve klimatike në më shumë se 500 hapësira – biblioteka, qendra qytetare, parqe, farmaci. Parisi ka aktivizuar regjistrin e saj të kontrollit të mirëqenies për banorët e moshuar dhe të cenueshëm dhe ka kufizuar shitjen e alkoolit në vendet publike për të ulur presionin mbi shërbimet e emergjencës. Italia ka futur kufizime në punën jashtë gjatë orëve më të nxehta në disa rajone.
“Kjo valë e të nxehtit është një provë gjenerale. Verat që vijnë do të jenë më të vështira. Më shumë se gjysma e vendeve evropiane ende nuk kanë një plan gjithëpërfshirës veprimi për të mbrojtur shëndetin nga nxehtësia. Kjo duhet të ndryshojë – dhe udhëzimet e përditësuara së fundmi të OBSH-së për Evropën i japin çdo vendi, rajoni dhe qyteti mjetet për të vepruar tani”, përfundoi OBSH-ja.
Zyra Rajonale e OBSH-së për Evropën njoftoi se të hënën, më 6 korrik, do të mbledhë kontaktet kombëtare përgjegjëse për situatat emergjente, mjedisin dhe ndryshimet klimatike nga të gjitha vendet e rajonit evropian. Tema e takimit do të jetë gatishmëria e Evropës për valët e ardhshme të të nxehtit.

