Friday, July 3, 2026
HomeLajmeKosovëNë Klinë u përurua shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova

Në Klinë u përurua shtatorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova

Në shënim të 2 Korrikut, Ditës së Deklaratës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, në komunën e Klinës u mbajt ceremonia solemne e zbulimit të shtatores së ish- presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Ceremonia u organizua nën përkujdesjen e kryetarit të Klinës, Zenun Elezaj, dhe mblodhi përfaqësues institucionalë, qytetarë, familjarë të figurave të luftës dhe të lirisë, si dhe mysafirë të shumtë.

Në fjalimet e rastit u theksua se përurimi i shtatores së ish-presidentit Rugova në vigjilje të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, bart një simbolikë të veçantë, duke rikujtuar miqësinë e Kosovës me SHBA-në dhe kontributin e presidentit Rugova në rrugëtimin e vendit drejt lirisë dhe pavarësisë.

Pjesëmarrësit vlerësuan se ish-presidenti Ibrahim Rugova mbetet një nga figurat më të rëndësishme të historisë moderne të Kosovës, ndërsa u shprehën se brezat që kontribuuan për lirinë dhe shtetësinë e vendit do të nderohen përjetë.

Gjatë ceremonisë u bënë homazhe dhe u shprehën nderime për deputetët e Deklaratës Kushtetuese të 2 korrikut 1990, për ish-presidentin Ibrahim Rugova, dëshmorët, martirët e kombit dhe të gjitha kategoritë që kontribuuan në rrugën e Kosovës drejt lirisë.

Zbulimi i shtatores së Rugovës në Klinë u cilësua si një akt i rëndësishëm i ruajtjes së kujtesës historike dhe i respektit institucional ndaj figurave që lanë gjurmë në historinë e shtetformimit të Kosovës.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram