Kanalet ruse të Telegram raportuan se ushtria ukrainase kreu një sulm në qytetin rus të Belgorodit natën e së enjtes ndaj të premtes. Sipas Kyiv Independent , ukrainasit kryen një sulm ndaj një fabrike pajisjesh energjetike.
Fotot dhe videot e postuara në mediat sociale tregojnë flakë dhe tym që thuhet se ngrihen nga uzina Energomash Belgorod, një prodhues kyç në zinxhirin e furnizimit me energji të Rusisë. Uzina prodhon pajisje për termocentralet ruse, si dhe për sektorin e naftës dhe gazit, ndër të tjera.
Ushtria ukrainase nuk ka komentuar ende mbi sulmin e supozuar, dhe mediat ukrainase theksojnë se nuk mund t’i konfirmojnë në mënyrë të pavarur raportet në këtë kohë.
Edhe pse ende nuk është e qartë se cila armë është përdorur në sulm, kujtohet se Kievi mbështetet shumë në dronë të prodhuar në vend në sulme të tilla ndaj infrastrukturës ruse.
Gjatë muajve të fundit, Ukraina ka shtuar sulmet ndaj objekteve energjetike në Krimenë e pushtuar, si dhe në territore të tjera të pushtuara. Kievi po kërkon të izolojë gadishullin e pushtuar nga Rusia kontinentale dhe të ndërpresë rrugët kryesore të furnizimit ushtarak.
Sulmi vjen në një kohë kur Kievi po përshkallëzon fushatën e sulmeve kundër infrastrukturës së naftës dhe gazit të Rusisë, burime kryesore të të ardhurave për Moskën për të financuar dhe mbështetur një pushtim të plotë të Ukrainës.
Forcat ukrainase të sistemeve pa pilot thanë se goditën 12 nënstacione dhe një stacion shpërndarjeje gazi në territoret e pushtuara nga Rusia gjatë një operacioni 48-orësh të mërkurën dhe të enjten.
Belgorodi, kryeqyteti i rajonit me të njëjtin emër, është një objektiv i shpeshtë i sulmeve ukrainase për shkak të afërsisë me vijën e frontit. Qyteti ndodhet afërsisht 70 kilometra nga qyteti ukrainas i Kharkivit.
Rusia po përballet me mungesa në rritje të karburantit për shkak të sulmeve të shpeshta me dronë ukrainasë ndaj rafinerive të naftës. Shumica dërrmuese e rajoneve ruse kanë vendosur kufizime në shitjen e karburantit dhe shumë rusë po raportojnë për orë të tëra pritjeje në rrjetet sociale për t’u mbushur në stacionet e benzinës dhe radhë kilometrash të gjata automjetesh.

