Friday, September 11, 2026
HomeLajmeKosovëAbdixhiku: Miqësia me SHBA-në mbetet shtyllë e Kosovës

Abdixhiku: Miqësia me SHBA-në mbetet shtyllë e Kosovës

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka uruar Shtetet e Bashkuara të Amerikës me rastin e 4 Korrikut – Ditës së Pavarësisë, duke vlerësuar rolin historik të SHBA-së në mbështetjen e Kosovës dhe të vlerave demokratike.

Në një mesazh urimi, Abdixhiku tha se 4 Korriku i vitit 1776 shënon një nga momentet më të rëndësishme në historinë moderne, pasi sipas tij, përfaqëson lindjen e një shteti të ndërtuar mbi idealet e lirisë, demokracisë, dinjitetit njerëzor dhe sundimit të ligjit.

Ai ka theksuar se për më shumë se dy shekuj, SHBA-ja ka qenë një prej shtyllave kryesore të mbrojtjes së demokracisë, të drejtave të njeriut dhe stabilitetit ndërkombëtar.

Duke folur për raportet me Kosovën, Abdixhiku është shprehur se Shtetet e Bashkuara janë më shumë se një aleat strategjik, duke i cilësuar si mikun më të palëkundur, partnerin më të rëndësishëm dhe mbështetësin vendimtar të Kosovës në rrugëtimin drejt lirisë, pavarësisë, shtetndërtimit dhe konsolidimit të demokracisë.

“Kontributi amerikan për Kosovën është historik, i jashtëzakonshëm dhe i pazëvendësueshëm. Ky është një borxh mirënjohjeje që brezat tanë do ta kujtojnë gjithmonë”, ka theksuar ai.

Abdixhiku ka rikujtuar se vizioni për një Kosovë të pavarur, sovrane, të integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian, me miqësi të përhershme me SHBA-në, mbetet një nga shtyllat themelore të orientimit politik të LDK-së, duke e lidhur këtë vizion me presidentin historik Ibrahim Rugova.

Në përmbyllje të mesazhit, kreu i LDK-së ka ritheksuar përkushtimin për forcimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të ndërtuar mbi besimin, vlerat e përbashkëta dhe aspiratën për paqe, liri dhe siguri.

Ai ka uruar Qeverinë dhe popullin amerikan për Ditën e Pavarësisë, duke përfunduar mesazhin me urimin: “Urime 4 Korriku! Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës! Zoti e bekoftë miqësinë e përhershme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës!”

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram