Dogana e Kosovës ka bërë të ditur se, me vendim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka qenë e përfshirë që nga fazat e para të hetimeve në rastin e dyshimeve për krim të organizuar në fushën e derivateve të naftës.
Sipas komunikatës, në nëntor të vitit 2024, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Prokurorinë Speciale, është ndaluar dërgesa e parë e dyshuar, duke shënuar nisjen e një procesi të koordinuar hetimor ndërinstitucional.
Dogana thekson se ka qenë pjesë e ekipit të përbashkët hetimor gjatë gjithë procesit, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Institucioni rikujton se, që nga maji i vitit 2021, kontrolli laboratorik i cilësisë së derivateve të naftës është rikthyer në laboratorin e Doganës, pas një vendimi të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.
Sipas Doganës, ky sistem ka sjellë kursime prej rreth 1.5 milion eurosh në shpenzimet për analiza laboratorike, ndërsa ka garantuar kontroll të paanshëm dhe në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

