Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, priti në takim raportuesin për Kosovën në Parlamentin Evropian, eurodeputetin Riho Terras.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet politike në vend, procesin e integrimit evropian dhe nevojën për tejkalimin e ngërçit institucional.
Hamza e falënderoi Terras për angazhimin e tij të vazhdueshëm dhe për raportin e fundit të Parlamentit Evropian për Kosovën, duke vlerësuar konfirmimin se e ardhmja e vendit është në Bashkimin Evropian, si dhe mbështetjen për aplikimin për anëtarësim.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se raporti i Parlamentit Evropian është një mesazh i rëndësishëm mbështetjeje për Kosovën, por edhe një thirrje që vendi të mos humbasë më kohë për shkak të krizave të brendshme politike dhe vonesave në funksionalizimin e institucioneve.
Hamza theksoi se PDK ndan shqetësimin e shprehur në raport për pamundësinë e krijimit të institucioneve plotësisht funksionale për një periudhë të gjatë, duke shtuar se Kosovës i nevojiten institucione që marrin vendime, zbatojnë reforma dhe rindërtojnë besimin me partnerët ndërkombëtarë.
“Stabiliteti nuk nënkupton vetëm formimin e institucioneve, por edhe qeverisjen demokratike, dialogun politik dhe respektimin e Kushtetutës”, tha Hamza.
Në fund, ai shprehu mirënjohje për rolin e eurodeputetit Terras dhe të Parlamentit Evropian si mbështetës të fuqishëm të Kosovës dhe aspiratave të saj për anëtarësim në BE.

