Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit R.D., nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Në njoftim thuhet se sipas aktakuzës, R.D., ish pjesëtar i MUP-it serb, më 22.05.1999 kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të viktimës Sh.D., e cila nuk u kishte mbijetuar plagëve të marra.
Po ashtu, i pandehuri akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të forcave serbe, ka marrë pjesë në vrasjen e 71 civilëve, në trajtim çnjerëzor, torturë, plaçkitje dhe dëbim të popullsisë civile shqiptare.
“Rasti i është dërguar për shqyrtim të mëtejmë Departamentit Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, ndërsa i pandehuri ndodhet në masën e paraburgimit”, theksohet në njoftim.

