Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës kanë kërkuar veprim të menjëhershëm dhe të përgjegjshëm institucional për mbrojtjen e prodhimit vendor.
Në njoftimin e tyre thuhet se sektori i qumështit është një ndër shtyllat e rëndësishme të ekonomisë së Kosovës, duke kontribuar në punësim, zhvillimin rural dhe sigurinë ushqimore.
“Çdo veprim apo deklaratë që dëmton besimin e konsumatorëve ndaj produkteve vendore, pa u mbështetur në analiza dhe fakte zyrtare, dëmton drejtpërdrejt një sektor të tërë dhe mijëra familje”, thuhet në njoftim.
Oda Ekonomike e Kosovës dhe Shoqata e Prodhuesve të Kosovës kanë kërkuar publikimin transparent të rezultateve të analizave zyrtare nga institucionet kompetente, mbështetje konkrete institucionale për prodhuesit vendorë, trajtim të çdo pretendimi për sigurinë e produkteve përmes procedurave profesionale dhe fakteve të verifikuara, si dhe përshpejtimin e hapave për mundësimin e eksportit të produkteve me bazë shtazore në tregjet evropiane.
Po ashtu, kanë kërkuar respektimin e standardeve profesionale në raportim dhe mbikëqyrje.
“Prodhuesit vendorë kanë investuar, kanë krijuar vende pune dhe kanë punuar për përmbushjen e standardeve të kërkuara. Ata meritojnë mbështetje, trajtim të drejtë dhe partneritet institucional”, thuhet në njoftim.
Sipas tyre, vetëm përmes bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe sektorit privat mund të fuqizohet prodhimi vendor, të ulet varësia nga importi dhe të zhvillohet ekonomia e Kosovës.

