Friday, July 10, 2026
HomeKulturë1.6 milion euro për Galerinë, Haxhiu e Kurti theksojnë rëndësinë e kulturës

1.6 milion euro për Galerinë, Haxhiu e Kurti theksojnë rëndësinë e kulturës

Galeria Kombëtare e Kosovës është rihapur pas renovimit, në një ceremoni ku morën pjesë ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, kryeministri në detyrë, Albin Kurti. Galeria u inaugurua me ekspozitën “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të tashmen e njëjtë”, të kuruar nga Hana Halilaj.

Në fjalën e saj, Haxhiu theksoi se arti në Kosovë ka pësuar humbje të mëdha gjatë luftës, kur u dogjën atelie dhe u shkatërruan vepra artistike, skica, dorëshkrime dhe dëshmi të rëndësishme të historisë së artit pamor, të cilat nuk mund të rikthehen më.

Ajo vlerësoi zgjerimin e Galerisë, duke nënvizuar se hapësirat e reja krijojnë për herë të parë kushte të përshtatshme për ruajtjen, konservimin dhe studimin e koleksionit kombëtar për brezat e sotëm dhe të ardhshëm.

Duke folur për ekspozitën inauguruese, Haxhiu tha se kuratorja Hana Halilaj ka bashkuar vepra nga periudha të ndryshme, duke nisur nga vitet ’70 e deri në kohët më të fundit. Sipas saj, titulli “Jo gjithë njerëzit ekzistojnë në të tashmen e njëjtë” pasqyron përvojat historike të Kosovës, përfshirë diskriminimin, luftën, spastrimin etnik dhe ndryshimet politike.

Ajo theksoi gjithashtu se institucionet e Republikës së Kosovës mbështesin lirinë e artit dhe krijojnë kushte për ruajtjen e së vërtetës përmes kulturës. Në fjalën e saj u kujtua me respekt edhe Shyqri Nimani, drejtori i parë i Galerisë Kombëtare, ndërsa falënderime të veçanta iu drejtuan ish-ministrit të Kulturës Hajrulla Çeku, ministres në detyrë të Kulturës Saranda Bogujevci, arkitektëve, teknikëve dhe stafit të galerisë për kontributin në realizimin e projektit.

Nga ana tjetër, kryeministri në detyrë Albin Kurti bëri me dije se renovimi i Galerisë Kombëtare ka kushtuar mbi 1.6 milion euro, duke e cilësuar modernizimin e infrastrukturës kulturore si një domosdoshmëri për identitetin, edukimin dhe zhvillimin e vendit.

Ai nënvizoi se projekti përfshin edhe rreth 300 metra katrorë hapësirë të re depozituese, të ndërtuar sipas standardeve ndërkombëtare për ruajtjen dhe konservimin e veprave artistike.

Kurti tha se kultura duhet të jetë pjesë e zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe demokratik të Kosovës, ndërsa shprehu dëshirën që Galeria Kombëtare e renovuar të shërbejë si një hapësirë dialogu, reflektimi, krijimtarie dhe pasioni për artin.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram