Çmimet e konsumit në Kosovë vazhduan të shënojnë rritje edhe gjatë muajit qershor. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni vjetor arriti në 6,0 për qind krahasuar me qershorin e vitit 2025, ndërsa ndikimin më të madh në këtë rritje e patën transporti dhe kostot e strehimit e energjisë.
Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) në Kosovë shënoi rritje vjetore prej 6,0 për qind në muajin qershor 2026, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, bëri të ditur Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK).
Sipas njoftimit të ASK-së, “Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit ishte më i lartë në një mesatare prej 6,0 % në muajin qershor 2026, krahasuar me muajin qershor 2025”.
Rritja e inflacionit vjetor u ndikua kryesisht nga shtrenjtimi i transportit me 13,7 për qind, pasuar nga grupi i strehimit, ujit, energjisë elektrike, gazit dhe lëndëve të tjera djegëse me 11,1 për qind. Po ashtu, çmimet u rritën edhe te pijet alkoolike, duhani dhe narkotikët (5,1 për qind), restorantet dhe shërbimet e akomodimit (4,5 për qind), shëndetësia (4,1 për qind), si dhe ushqimet dhe pijet joalkoolike (3,9 për qind).

