Vendet evropiane raportuan më shumë se 10,000 vdekje shtesë gjatë valës së të nxehtit që goditi kontinentin perëndimor në fund të qershorit, sipas shifrave zyrtare.
Shumica dërrmuese – më shumë se 9,000 – ishin njerëz të moshës 65 vjeç e lart, sipas të dhënave të publikuara nga EuroMOMO , një rrjet i mbështetur nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Nxehtësia ekstreme mund të vrasë duke shkaktuar goditje nga nxehtësia ose duke përkeqësuar sëmundjet kardiovaskulare dhe të frymëmarrjes, me të moshuarit ndër më të prekshmit.
“Të kesh këtë vdekshmëri të tepërt në këtë kohë të vitit është e pazakontë. Është vërtet e lartë”, tha për Reuters Lasse Vestergaard, mjeku kryesor në Institutin Statens Serum të Danimarkës, i cili pret EuroMOMO-n.
“Është e vështirë të shpjegohet kjo vdekshmëri e tepërt me diçka tjetër përveç nxehtësisë ekstreme”, shtoi Westergaard. Shkencëtarët kanë thënë se vala e të nxehtit në fund të qershorit do të kishte qenë “pothuajse e pamundur” pa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, të cilat po i bëjnë valët e të nxehtit më të shpeshta dhe intensive.
Të dhënat, të përpiluara nga statistikat kombëtare të vdekshmërisë në 27 vende evropiane, përfshinin vdekje të tepërta nga të gjitha shkaqet, jo vetëm ato që lidhen me nxehtësinë, gjatë javës së 22 deri në 28 qershor, kur vala e të nxehtit arriti kulmin në Francë, Spanjë, Britani dhe vende të tjera.
Megjithatë, shkencëtarët thanë se nuk kishte faktorë të tjerë të njohur kryesorë, siç janë rastet e COVID-19, që do të kishin kontribuar në 10,650 vdekjet e tepërta atë javë.
Vdekshmëria e kombinuar e të njëjtave vende evropiane gjatë tetë javëve të mëparshme ishte, mesatarisht, rreth 500 vdekje në javë më e ulët se nivelet tipike. Të dhënat e EuroMOMO mund të rishikohen në javët në vijim, ndërsa më shumë të dhëna bëhen të disponueshme.
Vërehet se EuroMOMO nuk publikon vdekjet e tepërta sipas vendeve individuale, por vuri në dukje se Franca dhe Belgjika ishin të vetmet dy vende në Evropë që regjistruan vdekshmëri “shumë të lartë të tepërt” në javën e fundit të qershorit.
Vdekshmëria e tepërt në Belgjikë ishte më e larta gjatë çdo vale të nxehti në të dhënat që datojnë që nga viti 2000, sipas institutit të shëndetit publik Sciensano të vendit.
2,700 vdekje vetëm në Angli dhe Uells
Një studim i veçantë shkencor, i botuar të hënën, vlerësoi se 2,700 njerëz vdiqën nga shkaqe të lidhura me nxehtësinë vetëm në Angli dhe Uells gjatë valës së të nxehtit në maj dhe qershor.
Sipas gjetjeve nga Imperial College London, UK Met Office dhe London School of Hygiene and Tropical Medicine, nga këto vdekje, 42% e këtyre vdekjeve i atribuohen ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, veçanërisht përdorimit të lëndëve djegëse fosile.
Mbretëria e Bashkuar u përball me dy valë të papara të të nxehtit në maj dhe qershor, me rekorde mujore që arritën përkatësisht 35.1 gradë Celsius dhe 37.7 gradë Celsius në Angli.
Këto janë episode “veçanërisht të jashtëzakonshme”, kryesisht për shkak të “hershmërisë” së tyre, vuri në dukje Mark McCarthy i Shërbimit Kombëtar të Motit, në një deklaratë duke iu referuar studimit të botuar.
Agjencia e Mbretërisë së Bashkuar për Sigurinë Shëndetësore (UKHSA) do të publikojë vlerësimet e saj zyrtare të vdekjeve të lidhura me nxehtësinë në javët e ardhshme, bazuar në të dhënat e vdekjeve nga episodet e fundit.
Në të njëjtën kohë, modelimi i këtyre studiuesve “na lejon të ilustrojmë shkallën e rrezikut që lidhet me temperaturat ekstreme dhe kërcënimin në rritje që ndryshimi i klimës paraqet për mirëqenien tonë”, thekson Leah Berang Ford, drejtuese e UKHSA-së.
Sipas këtij studimi, rreth 550 njerëz vdiqën për shkak të nxehtësisë midis 21 dhe 29 majit dhe pothuajse 2,200 midis 18 dhe 28 qershorit në Angli dhe Uells.
Ata që kryen studimin këmbëngulin në përgjegjësinë e ndryshimeve klimatike, gjë që i bën këto episode më intensive dhe më të shpeshta.
Temperaturat maksimale gjatë ditës ishin 3 ose 4 gradë Celsius më të larta se sa do të kishin qenë pa këtë fenomen, vlerësojnë ata, gjë që rrit rreziqet shëndetësore: lodhje, ngarkesë në zemër, veshka, përkeqësim të sëmundjeve kronike, etj.
Organizata e ngarkuar me këshillimin e qeverisë për klimën, CCC, paralajmëroi vitin e kaluar se Britania nuk ishte e gatshme të merrej me pasojat e ndryshimeve klimatike në territorin e saj.
Në një raport të publikuar në maj, vlerësohej se 92% e shtëpive britanike do të ishin në rrezik mbinxehjeje deri në vitin 2050 dhe rekomandohej që qeveria të vendoste kufij maksimalë të temperaturës në punë, si dhe të investonte në ajër të kondicionuar në ndërtesat publike (spitale, shkolla, etj.).
Burimi: Reuters

