Ka shkuar në 70 numri i pacientëve të cilët kanë marrë trajtim mjekësor pas helmimit nga ushqimi në një biznes gastronomik në Prishtinë.
“Nga data 10.07.2026 deri më 13.07.2026, në Klinikën Infektive ndihmë mjekësore kanë kërkuar rreth 70 pacientë. Prej tyre, 22 pacientë janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm”, ka njoftuar Klinika Infektive në QKUK.
Pacientët kanë kërkuar ndihmë mjekësore pas ankesave me ethe, temperaturë, dhimbje barku, të vjella dhe diare. Sipas anamnezës së marrë, simptomat janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit.
“Të gjitha rastet e hospitalizuara janë raportuar në Inspektoratin Shëndetësor, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), si dhe janë evidentuar në Sistemin e Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse (SMSN), në përputhje me procedurat në fuqi”, vazhdon njoftimi.
Pacientët e hospitalizuar janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore dhe po marrin trajtimin e nevojshëm, në përputhje me gjendjen e tyre klinike. Sipas njoftimit, aktualisht, gjendja klinike e pacientëve vazhdon të kërkojë trajtim dhe monitorim të vazhdueshëm.

