Tuesday, July 14, 2026
HomeLajmeKosovëUNFPA: Të rinjtë duan të krijojnë familje, por i pengon pasiguria ekonomike

UNFPA: Të rinjtë duan të krijojnë familje, por i pengon pasiguria ekonomike

Mbi 95 për qind e të rinjve në Kosovë dëshirojnë të martohen ose të krijojnë partneritet dhe të kenë familje, ndërsa shumica synojnë të kenë të paktën dy fëmijë. Megjithatë, realizimi i këtyre planeve pengohet kryesisht nga pasiguria ekonomike, mungesa e banimit të përballueshëm dhe pasiguria në punësim.

Këto gjetje u prezantuan nga Visare Mujku Nimani, udhëheqëse e Zyrës së UNFPA-së në Kosovë, gjatë një interviste në emisionin “Mirëmëngjesi Kosovë” në RTK, ku foli për rezultatet e një hulumtimi global të zhvilluar në 73 shtete, përfshirë Kosovën.

Sipas saj, anketa është realizuar me mbi 100 mijë persona të moshës 18 deri në 39 vjeç dhe ajo synon të kuptojë më mirë aspiratat e të rinjve dhe faktorët që ndikojnë në vendimet e tyre për krijimin e familjes.

“Nuk është e vërtetë se të rinjtë nuk duan të martohen apo të kenë fëmijë. Përkundrazi, ata i kanë këto synime, por përballen me barriera që ua vështirësojnë realizimin e tyre”, tha Mujku Nimani.

Ajo theksoi se pengesa kryesore mbetet stabiliteti financiar dhe punësimi i sigurt, ndërsa pasojnë sigurimi i banimit, fleksibiliteti në punë, qasja në kujdesin për fëmijët, barazia gjinore dhe siguria ekonomike.

Sipas saj, të rinjtë dëshirojnë fillimisht të përfundojnë arsimin, të sigurojnë një punë të qëndrueshme dhe një banesë, përpara se të krijojnë familje, me qëllim që fëmijëve t’u ofrojnë kushte më të mira jetese.

Mujku Nimani tha se të rinjtë kosovarë vazhdojnë të kenë qasje më tradicionale ndaj martesës krahasuar me disa vende evropiane, duke preferuar martesën para krijimit të familjes. Ajo shtoi se në Kosovë ende ekziston një presion më i madh shoqëror, veçanërisht ndaj grave, për martesë dhe lindjen e fëmijëve.

Një pjesë e rëndësishme e hulumtimit trajton edhe emigrimin. Sipas saj, largimi i të rinjve lidhet kryesisht me faktorët ekonomikë, mungesën e perspektivës dhe mundësitë më të mira për punësim, banim, arsim dhe shëndetësi jashtë vendit.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram