Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim lamtumirës atasheun jorezident të mbrojtjes të Republikës së Çekisë për Kosovën, kolonel Radim Jonas, me rastin e përfundimit të mandatit të tij.
Maqedonci ka bërë të ditur se e ka falënderuar kolonel Jonas për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Çekisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë gjatë katër viteve të shërbimit të tij.
“E falënderova kolonel Jonas për bashkëpunimin e shkëlqyer dhe kontributin e tij në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Çekisë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, ka shkruar Maqedonci në Facebook.
Sipas ministrit, angazhimi i kolonel Jonas ka ndihmuar në forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve, ndërsa bashkëpunimi i ndërtuar gjatë kësaj periudhe ka krijuar bazë të mirë për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve.
“Shpreha mirënjohjen për angazhimin dhe përkushtimin e tij në forcimin e partneritetit ndërmjet dy vendeve tona”, ka deklaruar Maqedonci.
Në fund të takimit, ministri i Mbrojtjes i ka uruar kolonelit Radim Jonas suksese në detyrat dhe angazhimet e tij të ardhshme.

