Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet I.Z., nën dyshimin se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë” në tentativë dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas aktakuzës, ngjarja ka ndodhur më 13 janar 2026, rreth orës 00:15, në një lokal në komunën e Deçanit. Prokuroria thotë se i pandehuri, i motivuar nga përkatësia kombëtare e të dëmtuarve, dyshohet se ka shtënë me armë zjarri me qëllim të privimit nga jeta të katër personave.
Si pasojë e të shtënave, tre persona janë plagosur. Dy prej tyre kanë pësuar lëndime të rënda trupore, ndërsa njëri lëndime të lehta. Personi i katërt ka arritur t’i shmanget sulmit pa u lënduar.
Sipas Prokurorisë, arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale mbahej pa autorizim ligjor. Gjatë arrestimit dhe kontrollit janë sekuestruar arma e zjarrit dhe municioni.
Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës që, pas zhvillimit të procesit gjyqësor dhe administrimit të provave, i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet në përputhje me ligjin.

