Monday, July 20, 2026
HomeTurizëmPlazhi i Gjeneralit, det kristal mes shkëmbinjve në bregdetin e Kavajës

Plazhi i Gjeneralit, det kristal mes shkëmbinjve në bregdetin e Kavajës

ATSH/ Në rrugën kombëtare nga Durrësi në Kavajë ka një tabelë që lajmëron daljen për te Plazhi i Gjeneralit që shumëkush e ka parë por që shumëkush ende mund të mos jetë bërë mjaftueshëm kureshtar për ta vizituar.

E në këto ditë të nxehta vere eksplorimi i këtij plazhi është kënaqësi jo vetëm për freskinë e detit por edhe për panoramat e pazakonta për Adriatikun. Plazhi është si një version mini i bregut të jugut, ndërsa uji dhe ngjyra e pastër e kaltër kombinohen me gjelbërimin e shpateve të kodrave të Kavajës.

Deti blu, format shkëmbore si patkua dhe zhurma e dallgëve të mahnisin si mahnitën gjeneralin italian nga i cili ka marrë emrin edhe gjiri. Thonë se gjenerali italian e zbuloi plazhin ndërsa kryente ekspedita në zonën e Kavajës dhe u mahnit sa vendosi të kthehej sërish bashkë me familjen.

Banorët e zonës e ruajtën emrin edhe kur gjenerali nuk erdhi më dhe këtë emër ruan edhe sot.

Gjiri ka një formë perfekte patkoi, rreth 400 metra i gjerë. Ndodhet i fshehur midis dy kepave shkëmborë dhe kjo vendndodhje e mbron nga erërat e forta dhe dallgët e mëdha.

Erozioni nga stuhitë detare e kanë mbushur bregun me zaje të vegjël shumëngjyrësh, duke krijuar një kontrast unik me rërën e imët.

Ekosistemi i ruajtur në pishinat natyrore të bregut është i pasur me specie të ndryshme gjallesash, ku edhe breshkat detare lënë vezët. Shkëmbinjtë nënujorë krijojnë habitate të pasura për lloje të shumta peshqish, çka e bën një pikë mjaft të njohur për zhytje (snorkeling).

Tashmë plazhi është i mbushur me çadra, shezlongë dhe me ambiente shërbimesh, por ruan bukurinë natyrore dhe ujin e pastër si asnjë plazh tjetër në zonë.

Nëse deri në vitin 2012 plazhi vizitohej nga pushues ditorë apo vetëm nga banorë të fshatrave përreth, ndërtimi i vilave ekologjike tërhoqi pushues edhe me fjetje. Natyra e paprekur tërhoqi po ashtu turistë të huaj me kampera, kryesisht italianë dhe gjermanë.

Ndërsa kalon mes çadrave, shqipja përzihet edhe me gjuhë të tjera që do të thotë se plazhi është popullor edhe mes të huajve që vizitojnë vendin tonë.

Lokalet sipër plazhit ishin të mbushura plot me njerëz, ndërsa shtëpiza druri, vila të vogla e shtëpi ngrihen në shpatin e kodrinës, mes përmes së cilës kalon edhe rruga e asfaltuar.

Aksesi në plazh është i lehtë por ka edhe mënyra të tjera si ajo e kalimit nga Spilleja, përmes një bregdeti shkëmbor e ku dallohen qartë pishinat natyrore në formë patkoi të krijuara nga erozioni i shpateve. Nga qendra e Spillesë duhet të ecësh vetëm disa kilometra në vijë bregdetare ndërkohë që pjesa e fundit është pak sfiduese pasi duhet të përdorësh shteg mes shkëmbinjsh por që është tërësisht i kalueshëm.

Sapo kalon dy gjire të vogla, shfaqet plazhi i Gjeneralit. Ne e gjetëm tërësisht të mbushur me pushues, ndërsa vilat ekologjike prej druri të sistemuara në kodër dhe lokalet aty pranë po ashtu gëlonin nga njerëzit.

Plazhi ofron ujëra të kthjellët ndërsa pjesa e bregut është me gurë të vegjël ndërsa gjiri mbyllet bukur në pjesën e sipërme me kodra të buta të gjelbëruara ku ndërtimet ekoologjike qëndrojnë në formë amfiteatri.

Shumë qytetarë kishin zgjedhur të merrnin çadrat e tyre me vete për të pasur hije nga dielli, ndërsa shumë të tjerë kishin mundësi zgjedhje në stacionet e plazhit, apo edhe në një resort të vogël aty pranë.

Për të gjithë ata që nuk e kanë vizituar duket e habitshme sesi pas një plazhi ranor të madh si Spilleja, bregdeti thyhet në plazhe të vegjël shkëmborë, duke ndryshuar gati krejtësisht nga pjesa tjetër.

Rruga e asfaltuar që të sjell dhe të largon nga Plazhi i Gjeneralit është po ashtu piktoreske pasi të jep mundësinë e perspektivës në të gjithë bregun deri në Qerret, Golem e përtej në Durrës dhe Kepin e Rodonit.

Në momentin e mbërritjes ka një pikë befasie pasi plazhi nuk duket gjatë rrugës, por shfaqet befas në horizont sapo kalohen kodrat e Kryevidhit

Përgjatë rrugës duket qartë se zhvillimi i turizmit ka rritur pritshmëritë e banorëve pasi shumë shtëpi duken të përshtatura për të pritur mysafirë sikundër edhe hotele e restorante të reja ftojnë vizitorët.

Rruga është funksionale pasi lidh në mënyrë integrale fshatra të tërë të zonës dhe plazhet me disa dalje në rrugën kombëtare.

Dikur një aks i vështirë që gjarpëron përmes fshatrave, rruga mbante larg mbingarkesën masive, por penalizonte turistët ditorë.

Gjithmonë është interesante të dish për fshatrat, shtëpitë, pyjet, lumenjtë që të kalojnë përpara syve ndërsa udhëton. Nëse merr rrugën për te Plazhi i Gjeneralit do të shohësh peizazhe nga kodrat e fshatit Beden, zonë e njohur për pyllin e Bedenit, kodrat piktoreske të Kryevidhit kur shfaqet edhe deti, dhe më pas fshati i fundit, Bardhori. Është një fshat i vogël bregdetar, ku shtëpitë e banorëve vendas janë të shpërndara nëpër shpate kodrinore që bien direkt mbi det.

Ndërsa largohemi nga plazhi i Gjeneralit, zgjedhja e natyrshme është një vizitë në në Karpen, një tjetër plazh interesant i bregdetit të Kavajës që tashmë ka marrë zhvillim. Dikur plazh i vetmuar dhe pa pushues, Karpeni është një plazh modern ku ishulli me pasarelën ofron mundësi për foto të vërteta pushimesh, ndërsa vetë gjiri është i mbushur me hotele e vila, restorante e klube. Po ashtu, edhe plazhi në Qerret është shndërruar në qytezë moderne pushimesh ku radhët e çadrave shumëngjyrëshe në brezin e rërës, pedonalja dhe hotelet e pallatet e banimit shkrihen në atmosferë pushimesh verore.

Nga Vilë Bashtova në Golem, vija bregdetare Rrogozhinë-Kavajë ofron mundësi të shumta pushimi dhe surpriza që duhen zbuluar.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram