Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka dhënë detaje për gjendjen e pacientëve të pranuar pas aksidentit të rëndë të trafikut në fshatin Shushicë të Istogut.
Sipas njoftimit të këtij institucioni, një paciente është pranuar në Emergjencë pa shenja jete, si pasojë e lëndimeve të rënda të marra në aksident.
“Pacientja kishte pësuar politraumë dhe, përkundër procedurave të ndërmarra, është konstatuar pa shenja jete”, thuhet në njoftimin e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës.
Më pas, rreth orës 16:30, në spital janë pranuar edhe katër persona të tjerë të lënduar nga i njëjti aksident.
“Një fëmijë është transferuar në QKUK, i intubuar dhe nën përcjelljen e ekipit të Anestezionit, për trajtim të mëtejmë, me politraumë, hemorragji intrakraniale dhe frakturë të femurit”, ka bërë të ditur Spitali i Pejës.
Ndërkohë, një paciente tjetër është hospitalizuar në Repartin e Ortopedisë me frakturë të femurit, ndërsa dy pacientë, pas ekzaminimeve dhe trajtimit mjekësor, janë liruar për trajtim ambulantor për shkak të lëndimeve të lehta trupore.
“Shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes për humbjen e rëndë, ndërsa të lënduarve u urojmë shërim sa më të shpejtë”, thuhet në fund të njoftimit të Spitalit të Përgjithshëm të Pejës.

