Wednesday, July 22, 2026
HomeLajmeKosovëDështon në nisje gjykimi për Masakrën e Reçakut

Dështon në nisje gjykimi për Masakrën e Reçakut

Seanca gjyqësore për rastin e Masakrës së Reçakut nuk u mbajt, pasi dështoi të nisë për shkak të mungesës së katër avokatëve mbrojtës. Arsyeja ishte se Oda e Avokatëve nuk kishte caktuar avokatë sipas detyrës zyrtare për të akuzuarit.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra konstatoi se disa prej avokatëve të të akuzuarve, nuk janë pajisur me shkresa të lëndës, andaj në mungesë të kushteve ligjore, seanca shtyhet.

Po ashtu, ajo ka theksuar se për katër të akuzuar mungojnë avokatët, konkretisht për të akuzuarit Zoran Stanojeviq, Milan Josanoviq, Goran Petkoviq dhe Dragoslav Nikoliq.

Sipas gjykatëses, Oda e Avokatëve të Kosovës nuk e ka njoftuar Gjykatën se cilët avokatë janë të autorizuar për këta katër të akuzuar.

Prokurori special, Ilir Morina tha se Prokuroria ka bërë përpjekje të marrë informacione se cilët janë avokatët e caktuar ex officio nga Oda e Avokatëve të Kosovës, duke kërkuar përmes e-mailit listën e tyre, në mënyrë që të pajisen me shkresa të lëndës.

Morina tha se vetëm 10 avokatë janë paraqitur në Prokurori për t’u pajisur me shkresa të lëndës, andaj ftoi avokatët që nuk janë paraqitur për t’i marrë shkresat e lëndës pas përfundimit të seancës.

Disa nga avokatët që ishin të pranishëm në gjykatë deklaruan se ishin njoftuar nga Oda e Avokatëve vetëm për datën e seancës dhe se duhej të paraqiteshin sipas detyrës zyrtare, por nuk ishin informuar se për cilin rast bëhej fjalë.

Për shkak të këtyre rrethanave, gjykata e shtyu shqyrtimin, ndërsa seanca e radhës është caktuar të mbahet më 31 korrik.

Nis sot gjykimi ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte në Kosovë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë mbahet sot seanca fillestare ndaj 21 të akuzuarve për krime lufte kundër popullsisë civile në Reçak. Me propozim të Prokurorisë Speciale, gjykimi pritet të zhvillohet në mungesë të të pandehurve, pasi ata janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë nis sot procesi gjyqësor ndaj Zllatomir Peshiq, Mlladen Cirkoviq, Radomir Markoviq, Dushko Adamoviq, Obrad Stevanoviq, Zhivko Trajkoviq, Goran Radosavleviq, Bogolub Janiçqviq, Sllavisha Ivanoviq, Boshko Vukiqeviq, Sreten Popoviq, Nikolla Petroviq, Kërsman Jellliq, Lubisha Stojimiroviq, Bozhidar Deliq, Radojko Stefanoviq, Dragan Zhivanoviq, Milosh Gjoshan, Lubinko Cvetiq, Bozhidar Filiq dhe Milovan Kovaçeviq, të akuzuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.

Sipas Gjykatës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, gjykimi do të zhvillohet në mungesë, pasi të akuzuarit nuk janë arritur të lokalizohen deri në ngritjen e aktakuzës.

Gjykata u ka bërë thirrje publike të gjithë të pandehurve që të paraqiten dhe të dorëzohen para organeve të ndjekjes penale të Republikës së Kosovës. Seanca e sotme shënon fillimin e një prej proceseve më të mëdha gjyqësore për krime lufte të zhvilluara nga drejtësia kosovare.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram