Prokuroria Themelore në Pejë ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë një person, si i dyshuar për veprat penale “Vrasja nga pakujdesia” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, pas një rasti tragjik që ndodhi në bjeshkët e Komunës së Deçanit.
Sipas Prokurorisë, menjëherë pas njoftimit nga Policia e Kosovës se një person kishte humbur jetën nga arma e zjarrit, në vendin e ngjarjes kanë dalë dy prokurorë të shtetit, së bashku me njësitë relevante policore.
“Nga veprimet e ndërmarra në vendin e ngjarjes, sigurimi i provave materiale dhe intervistimi i dëshmitarëve okularë, ekziston dyshimi se viktima ka humbur jetën si pasojë e pakujdesisë së të dyshuarit, përkatësisht nga shkrepja e armës së zjarrit”, thuhet në njoftim.
I dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes dhe, me urdhër të prokurorit të shtetit, është ndaluar për 48 orë.
“Me urdhër të Prokurorisë, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa në vendin e ngjarjes janë angazhuar edhe ekspertë të balistikës për ekzaminimet e nevojshme me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka bërë të ditur se arma me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale është sekuestruar, ndërsa hetimet po vazhdojnë përmes intervistimit të dëshmitarëve dhe ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore.
Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, hetimet po zhvillohen në koordinim të plotë me Policinë e Kosovës dhe institucionet tjera kompetente për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.

