Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë fundjavës, më 25 dhe 26 korrik, në Kosovë do të mbajë mot kryesisht me diell dhe vranësira të shpërndara.
Sipas parashikimit, të shtunën temperaturat minimale do të lëvizin nga 8 deri në 11 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 23 deri në 26 gradë Celsius. Era do të fryjë e lehtë deri mesatare nga drejtimet veriore dhe veriperëndimore.
Të dielën pritet mot me diell dhe vranësira të pakta, kryesisht në zonat malore. Temperaturat minimale do të jenë nga 9 deri në 12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të arrijnë nga 25 deri në 31 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi me shpejtësi prej 1 deri në 5 metra për sekondë.
Instituti ka vlerësuar se kushtet biometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme për shumicën e popullsisë. Megjithatë, në zonat e ulëta, veçanërisht të dielën, temperaturat deri në 30–31 gradë Celsius mund të shkaktojnë ngarkesë të lehtë termike gjatë mesditës, sidomos te personat e ndjeshëm, të moshuarit dhe ata me probleme kardiovaskulare.
Për këtë arsye, rekomandohet hidratim i mjaftueshëm dhe shmangia e ekspozimit të zgjatur në diell gjatë orëve më të nxehta të ditës.
Kushtet agrometeorologjike pritet të jenë përgjithësisht të favorshme për zhvillimin e kulturave bujqësore. Megjithatë, në zonat ku temperaturat do t’i afrohen 30–31 gradë Celsius, mund të rritet kërkesa e bimëve për ujë.
Instituti rekomandon monitorimin e lagështisë së tokës dhe ujitjen sipas nevojave të bimëve, mundësisht në orët e mëngjesit ose të mbrëmjes.

