Cristiano Ronaldo dhe partnerja e tij prej shumë kohësh, Georgina Rodriguez, sipas mediave portugeze, duhet të thonë “po”-në këtë fundjavë.Siç është shkruar, dasma është planifikuar për të shtunën, më 1 gusht, në pronën luksoze Quinta da Regaleira në Sintra të Portugalisë, raporton portali spanjoll “Hola”.
Edhe pse çifti nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë informacion, historitë rreth ceremonisë kanë qarkulluar në publik prej ditësh. Burime pranë Ronaldos dhe Georginës pohojnë se ishte ajo që këmbënguli që festimi të ishte i një natyre intime, i rezervuar ekskluzivisht për familjen dhe miqtë më të ngushtë.
Megjithatë, lista e të ftuarve sugjeron se do të mblidhen një numër yjesh botërorë. Midis të ftuarve, sipas të njëjtave burime, janë lojtarët e Real Madridit, Kylian Mbappe, Vinicius Junior dhe Rodrigo, megjithëse Ronaldo nuk ka ndarë kurrë një dhomë zhveshjeje me ta në klubin madrilen. Ende nuk dihet nëse do të marrin pjesë edhe shokët e tij të ekipit nga Al Nasr.
Përveç lojtarëve të famshëm të futbollit, pritet mbërritja e personaliteteve të shumta nga bota e muzikës, filmit dhe sportit. Lista e të ftuarve thuhet se përfshin Vin Diesel, Piers Morgan, Rihanna, Jennifer Lopez, Drake, Travis Scott, ish-kampionin e UFC-së Khabib Nurmagomedov, ish-shokun e skuadrës së Ronaldos, Rio Ferdinand, si dhe YouTuber-in dhe transmetuesin e njohur IShowSpeed.
Historia e dashurisë së Ronaldos dhe Georginës filloi në vitin 2016, kur ata u takuan në dyqanin “Gucci” në Madrid, ku Georgina punonte në atë kohë. Pas gati dhjetë vitesh bashkëjetese dhe një familjeje të përbashkët, duket se ka ardhur koha që ata të zyrtarizojnë lidhjen e tyre me martesë.

