Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar që Kuvendi i Kosovës të konstituohet pa vonesa, duke e cilësuar të pakuptueshme shtyrjen e seancës konstituive deri më 6 gusht.
Pas takimit të thirrur nga kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu me përfaqësuesit e subjekteve politike, Tahiri tha se Aleanca ngriti dy çështje kryesore.
“Shqetësimin e thellë dhe po ashtu kërkesën që konstituimi të ndodhë menjëherë. Është tërësisht e pakuptueshme për ne qysh ka mundësi për 4 muaj ditë sa kemi ndenjur në Kuvend, gishtat i janë adresuar opozitës për moskonstituim të institucioneve, ndërsa rezultatet zgjedhore janë certifikuar tash e 4 javë dhe ende nuk ka konstituim, respektivisht data e seancës është caktuar me 6 gusht, një ditë para përfundimit të afatit kohor që duhet të ketë një seancë brenda 30 ditëve”, tha Tahiri.
Sipas tij, çështja e dytë e ngritur në takim kishte të bënte me afatin për konstituimin e Kuvendit dhe institucioneve.
“Kuvendi i Kosovës nuk duhet të bëjë lojëra dhe ta shtyjë konstituimin e vet më larg se me datën 7 gusht. Çfarëdo tendence për interpretim, i cili ndërlidhet me një afat kohor shtesë prej një muaji, veçse e dëmton Kosovën dhe mbi të gjitha e konfirmon qëndrimin tonë politik se i gjithë ky proces i zgjatjes dhe tërëzgjatjes ka qëllime zgjedhore”, u shpreh Tahiri.
Ai shtoi se Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta kundërshtojë çdo përpjekje për zvarritjen e procesit, duke theksuar se ky qëndrim është paraqitur edhe në takimin me kryeparlamentaren.

