Saturday, August 1, 2026
HomepafilterNgjarjet në rajon

Ngjarjet në rajon

Për shkak të nivelit të ulët të ujit në Danub u ndal një reaktor bërthamor në Centralin Bërthamor “Çerna voda”

Kryeministri në detyrë i Rumanisë, Ilie Bolojan, u bëri thirrje qytetarëve të kursejnë energjinë elektrike gjatë orëve me ngarkesën më të madhe, duke gatuar dhe duke kryer aktivitete të tjera shtëpiake gjatë natës, njofton Digi24. Thirrja erdhi pasi, për shkak të nivelit të ulët të ujit në lumin Danub, u ndal Reaktori 1 i Centralit Bërthamor “Çerna voda”. Masa parandaluese, e ndërmarrë nga operatori shtetëror Nuclearelectrica, synon mbrojtjen e sistemeve të ftohjes dhe pajisjeve të pompimit nga dëmtime të mundshme, të shkaktuara nga depërtimi i sedimenteve ose mungesa e rrjedhës së ujit. Dy reaktorët e centralit kanë një fuqi të përgjithshme prej rreth 1400 MW dhe në kushte normale mbulojnë afro 20% të konsumit të energjisë elektrike në Rumani.

Nga Nuclearelectrica paralajmëruan se, duke pasur parasysh parashikimet hidrologjike për nivelet e lumit Danub, mund të bëhet e nevojshme ndalimi edhe i reaktorit të dytë në çdo moment.

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: Pixabay

Mali i Zi iu bashkua politikës së vizave të BE-së

Mali i Zi vendosi viza për qytetarët e Rusisë, Bjellorusisë, Turqisë, Kinës dhe Arabisë Saudite. Kështu, Podgorica harmonizoi plotësisht politikën e saj të vizave me Bashkimin Evropian, njoftoi Ministria e Jashtme e Malit të Zi.

Ky është një nga kushtet e fundit për mbylljen e kapitullit negociues 24 “Drejtësia, liria dhe siguria” në procesin e anëtarësimit të vendit në BE. Prej vitesh, rusët janë grupi i dytë më i rëndësishëm i turistëve të huaj në Mal të Zi, pas serbëve. Aplikimet për viza malazeze tashmë do të mund të dorëzohen edhe në qendrat e vizave të VFS Global, dhe jo vetëm në përfaqësitë diplomatike dhe konsullore.

Ndërkohë, Këshilli i BE-së formoi një ekip për gjuhën malazeze, i cili do të marrë pjesë në përgatitjen e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi në BE, njoftoi rtcg.me.

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: odatv.com

Biznesi turk po blen prona në zonën Shengen për të kapërcyer problemin e vizave

Me vendosjen e vizave nga Mali i Zi, numri i vendeve në Evropë që mund të vizitohen pa vizë me pasaportë turke ulet në rreth 10, njofton milliyet.com.tr. Për botimin, Kubilay Yiğit, drejtor i një kompanie konsulence, tha se “ata që nuk mund të marrin vizë, blejnë pasuri të paluajtshme”.

Pjesa më e madhe e investitorëve nuk ëndërrojnë të shpërngulen përgjithmonë në Evropë. Qëllimi kryesor është të mund të udhëtojnë lirshëm, të lehtësojnë biznesin e tyre ndërkombëtar dhe të hapin një derë për arsimin e fëmijëve të tyre”, komentoi Yiğit. Ai e përmendi Greqinë si vendin më të preferuar, për shkak të mungesës së kërkesave gjuhësore, pragut relativisht të ulët të investimit, që fillon nga 250 000 euro, mundësisë për të marrë të drejtën e qëndrimit përmes blerjes së pasurive të paluajtshme dhe shpejtësisë burokratike.

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: racin.mk

Në “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028” njohën si model “Shkupi 2014”

Projektligji për projektin “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”, i paraqitur për miratim me procedurë të përshpejtuar në parlamentin e Maqedonisë së Veriut, shkaktoi kritika, ndërsa kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, e hoqi atë nga rendi i ditës, njofton BTA. Opozita dhe organizatat joqeveritare konsiderojnë se krijimi i Fondacionit të posaçëm të propozuar “Kryeqyteti Evropian i Kulturës – Shkupi 2028” krijon mundësi për korrupsion përmes financimit jotransparent nga qeveria dhe komunat, duke anashkaluar sektorin civil, artistët dhe institucionet kulturore.

“Pas ‘Shkupit 2014’ të Nikolla Gruevskit, tani po na përgatisin për ‘Shkupin 2028’ – vit i ri, e njëjta recetë e vjetër”, deklaroi deputetja e opozitës nga LSDM, Sllavjanka Petrovska. Qeveria premtoi se do ta korrigjojë projektligjin.

Ngjarjet me adresë ballkanike

FOTO: ekathimerini.com

Shtëpia e perëndive olimpike tashmë është nën mbrojtjen e UNESCO-s

UNESCO e përfshiu malin Olimp në Listën e Trashëgimisë Botërore, njoftoi ekathimerini.com. Vendimi u miratua njëzëri në sesionin e 48-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Busan, Koreja e Jugut. Kështu, Olimpi bëhet një nga objektet e pakta në botë të regjistruara si trashëgimi botërore e përzier, për shkak të rëndësisë së tij njëkohësisht kulturore dhe natyrore.

I nderuar në mitologjinë e Greqisë së Lashtë si shtëpia e perëndive olimpike, Olimpi është gjithashtu një nga malet me biodiversitetin më të pasur në Evropë. Aty gjenden afro 2000 taksone bimore, përfshirë dhjetëra specie endemike, si edhe përfaqësues të rrallë të botës së egër.

Me përfshirjen e Olimpit, numri i objekteve të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në Greqi arrin në 21, prej të cilave tre kanë status të përzier.

RELATED ARTICLES

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

Most Popular

Recent Comments

Instagram