Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka njoftuar se gjatë gërmimeve në Jabukë të Vogël janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të katër personave, të cilat, sipas vlerësimeve fillestare, u përkasin viktimave të zhdukjes me forcë gjatë luftës.
“Sot, më 3 gusht 2026, kanë vazhduar aktivitetet gërmuese në kuadër të trajtimit të lokacioneve të varreve masive në fshatrat Kalludër dhe Jabukë, në Komunën e Zubin Potokut”, thuhet në njoftim.
Për shkak të specifikave të terrenit, aktivitetet gërmuese janë përqendruar në lokacionin e Jabukës së Vogël.
“Gjatë gërmimeve të zhvilluara sot në Jabukë të Vogël janë gjetur dhe zhvarrosur mbetjet mortore të katër personave, që sipas vlerësimeve fillestare, u përkasin viktimave të zhdukjes me forcë gjatë luftës”, ka bërë të ditur Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Mbetjet mortore janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminime të mëtejshme mjekoligjore, përfshirë identifikimin përmes analizës së ADN-së.
Komisioni ka njoftuar se në ditët në vijim do të vazhdojnë gërmimet vlerësuese në lokacionin e varrit masiv në Kalludër, ku punime janë zhvilluar edhe gjatë javës së kaluar, si dhe në lokacione të tjera të shënjuara.
Gërmimet dhe zhvarrimet janë kryer nga ekspertët mjekoligjorë të Institutit të Mjekësisë Ligjore, përfshirë ekspertët e EULEX-it të angazhuar në kuadër të IML-së, me përkrahjen e Policisë së Kosovës, institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë, Shoqatës për Kërkim-Shpëtim dhe Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Komisioni ka theksuar se mbetet i përkushtuar që, në koordinim me institucionet vendore dhe partnerët ndërkombëtarë, të vazhdojë punën për ndriçimin e fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë gjatë luftës dhe përmbushjen e së drejtës së familjeve për të ditur fatin e më të dashurve të tyre.

