Ndërmarrja Publike Hekurudhat e Kosovës Trainkos ka njoftuar se ka anuluar qarkullimin e trenave me numër 760 dhe 4201 në relacionin Pejë – Prishtinë dhe anasjelltas, për shkak të rrethanave të papritura.
Njoftimi i Trainkos vjen në mëngjesin kur një grua humbi jetën pasi u godit nga një tren në Pejë.
“Ju njoftojmë se treni i planifikuar për sot me numër 760 dhe 4201 Pejë – Prishtinë dhe anasjelltas është anuluar për shkak të rrethanave të papritura. Ndërsa treni 4200 do të vazhdojë sipas orarit të planifikuar. Ju falënderojmë për mirëkuptimin tuaj!”ka bërë të ditur Trainkos në njoftimin e publikuar në Facebook.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar për RTK se aksidenti ka ndodhur rreth orës 05:35.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, rreth orës 05:32, treni ishte nisur nga Peja në drejtim të Fushë Kosovës, kur goditi një person.
“Rreth orës 05:32, teksa treni ishte nisur nga Peja në drejtim të Fushë Kosovës, ka goditur një person, i cili si pasojë e lëndimeve të marra ka humbur jetën në vendngjarje. Menjëherë pas njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Policisë së Kosovës dhe ekipi i Urgjencës së Pejës. Mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e viktimës”, ka bërë të ditur Gashi.

