Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do të zhvillojnë sot një takim në Kuvendin e Kosovës, në përpjekje për të arritur një marrëveshje për konstituimin e institucioneve shtetërore.
Lajmin e ka konfirmuar për RTK, zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.“Po, në 18:00 në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Mustafa.
Ndryshe Kryetari i Partisë Demokratike, Bedri Hamza, i është përgjigjur kreut të Vetëvendosjes Albin Kurti për takim, duke e bërë të qartë se PDK nuk do të ndryshojë qëndrimin politik dhe se do të mbetet në opozitë.
Duke e falënderuar Kurtin për ftesën, Hamza ia rikujtoi se qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar, duke iu referuar edhe takimit të 10 korrikut.
Aleanca ka refuzuar ftesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për takim në funksion të diskutimeve rreth themelimit të institucioneve të reja.
Në përgjigje thuhet se Aleanca nuk ka interes të bëhet pjesë e Qeverisë së Kosovës në asnjë format, por ka shprehur gatishmëri për të ndihmuar në themelimin e institucioneve dhe shmangien e zgjedhjeve të reja, duke pasur parasysh edhe procesin e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.

