Komuna e Podujevës ka shpallur gjendje emergjente për shkak të gjendjes së rënduar të krijuar nga mosgrumbullimi i mbeturinave nga operatorët përgjegjës. Vendimi hyn në fuqi më 5 gusht 2026 dhe do të zgjasë deri më 5 nëntor 2026.
Vendimi është marrë nga Shtabi Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim i Komunës së Podujevës, pas vlerësimeve se situata me mbeturinat paraqet rrezik për shëndetin publik dhe mjedisin.
Kryetari i Komunës, Shpejtim Bulliqi, i cili njëherësh kryeson Shtabin Emergjent, tha se tash e disa muaj menaxhimi i mbeturinave në qytet dhe fshatrat e Podujevës është përballur me vështirësi të mëdha.
Sipas tij, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi”, për shkak të pamundësisë për të ofruar shërbime në të gjithë territorin e komunës, më herët kishte kërkuar të lirohej nga obligimi për grumbullimin e mbeturinave në fshatra, përgjegjësi që më pas iu transferua kompanisë private “Natyra”.
Bulliqi tha se tashmë probleme ka edhe në qytet, ku, sipas tij, kompania “Pastrimi” në disa raste operon vetëm me një kamion, ndërsa ka ditë kur nuk ofron fare shërbim.
“Për shkak të kësaj gjendjeje, ku aktualisht kemi edhe një numër të madh të mërgimtarëve dhe sasia e mbeturinave është rritur, si dhe duke pasur parasysh shëndetin e qytetarëve, kemi vendosur ta shpallim gjendjen emergjente”, deklaroi Bulliqi.
Ai bëri të ditur se vendimi mbështetet në raportet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Drejtorisë së Inspeksionit dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), të cilat evidentojnë përkeqësimin e situatës.
Bulliqi shtoi se Komuna e Podujevës vazhdimisht e ka subvencionuar KRM “Pastrimi” për t’ia lehtësuar funksionimin, por, sipas tij, problemet vazhdojnë për shkak të keqmenaxhimit të ndërmarrjes.
Edhe drejtori i Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi, tha se gjendja e krijuar e ka bërë të domosdoshme shpalljen e emergjencës, ndërsa drejtori i Inspeksionit, Shuajb Blakçori, dhe anëtarët e tjerë të Shtabit u pajtuan se nevojiten masa të menjëhershme për tejkalimin e krizës.
Propozimi për shpalljen e gjendjes emergjente u miratua njëzëri.
Me vendimin e miratuar, Drejtoria e Shërbimeve Publike obligohet të hartojë dhe zbatojë një plan operacional emergjent, si dhe të nisë procedurën e përshpejtuar të prokurimit për marrjen me qira të tre kamionëve dhe angazhimin e tre vozitësve, të cilët do të operojnë në kuadër të KRM “Pastrimi” për grumbullimin dhe largimin e mbeturinave.
Po ashtu, Drejtoria e Inspeksionit do të intensifikojë kontrollet për parandalimin e krijimit të deponive të paligjshme dhe do të ndërmarrë masa ndaj shkelësve, ndërsa Drejtoria për Buxhet dhe Financa është obliguar të sigurojë fondet e nevojshme për zbatimin e masave emergjente.

