Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë dy persona me inicialet A.D. dhe L.D., të cilët dyshohen për kryerjen e veprave penale “Lëndimi i rëndë trupor”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Kanosja”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit janë paraqitur në Policinë e Kosovës, ndërsa me aktvendim të Prokurorit të Shtetit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. Ata dyshohen për veprat penale të parashikuara në nenin 186, nenin 366 dhe nenin 181 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Në bazë të veprimeve hetimore të ndërmarra deri më tani, gjatë të cilave janë siguruar dëshmi që mbështesin dyshimin e bazuar, rezulton se rasti ka të bëjë me një ngjarje të ndodhur më datë 23 mars 2026 në Prishtinë, ku i dëmtuar është një zyrtar i Inspektoratit të Policisë së Kosovës (IPK), për të cilën Prokuroria ka zhvilluar veprime intensive hetimore me qëllim të sqarimit dhe ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, hetimet janë ende në vazhdim, ndërsa Prokurori i Shtetit po ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për sigurimin e provave dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Prokuroria Themelore në Prishtinë thekson se, në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës, mbetet e përkushtuar në forcimin e sundimit të ligjit dhe ndjekjen penale të të gjithë personave që bien ndesh me ligjin.

